Aktualitet Politikë

Rama për “La7”: Shqipëria e së ardhmes do jetë si Italia!

Në një intervistë për emisionin “Piazza Pulita”, programin italian të drejtuar nga Corrado Formigli në televizionin “La7”, kryeministri Rama shpjegoi marrëveshjen me Italinë mbi emigrantët.

Gazetari: Faleminderit Kryeministër që pranove intervistë tonë!

Rama: Nuk mund të refuzoj kurrë gazetarët italianë, unë i dua.

Gazetari: Të gjithë, të gjithë ?

Rama: Të gjithë. Eshtë një dashuri pa kushte.

Gazetari: Sepse jo të gjithë kryeministrat janë si ty.

Rama: Sepse ata nuk e dinë se ç’është dashuria.

Gazetari: Mund t’ia thoni Giorgia Melonit që refuzon të vijë në emisionin tonë?

Rama: Unë nuk refuzoj asnjë gazetar. Nuk refuzoj asnjë emision sepse ju bëni punën tuaj … sepse besoj se asnjë pyetje e juaja nuk është tendencioze.

Gazetari: Raporti me Melonin është i shkëlqyer. Ajo është e djathtë, ndërsa ju i majtë. Si lindi kjo shkëndijë mes jush?

Rama: Kushdo që e njeh Giorgia Melonin nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të. Ajo është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë. Nuk ka rëndësi se kryeministri është i djathtë, i majtë apo demokristian apo çfarëdo. Eshtë kryeministrja e një vendi më afër nesh. Për mua ideologjitë kanë vdekur kur ka rënë muri i Berlinit.

Gazetari:  A mund të na thoni diçka rreth marrëveshjes së emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë?

Rama: Shqipëria nuk ka asnjë kosto mbi operacionin që Italia do të zhvillojë në Shqipëri për emigrantët. Shqipëria nuk ka asnjë kosto. Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore. Shqipëria i ka dhënë përgjegjësinë të shërbejë në një territor që do të menaxhohet tërësisht nga Italia.

Gazetari: Mesa di Kryeministër ju keni një miqësi të madhe me Massimo D’Alemën. A i keni kërkuar këshilla atij?

Rama: Massimo D’Alema është mentor për mua. Unë miqësinë me të e mbaj në zemër si një medalje nderi. Për ju është e vështirë të mendoni se nga vijmë ne. Unë jam rritur në diktaturë dhe e shikoja atë në televizion, pastaj ai u bë kryeministër dhe u gëzova kur mësova se ai më konsideronte një mik.

Kur më pyesin si do të jetë Shqipëria e së ardhmes, dhe ka shumë që mendojnë se do të jemi si Gjermania, u them të shikojnë Italinë. Kjo është Shqipëria e së ardhmes.

Së fundmi gazetari pyeti Ramën se përse e mbante Putinin në tavolinë, ndërsa kryeministri u përgjigj se  “i pëlqente ta shihte atë si një kukull”.