“Doktori i Mrekullive” u quajt episodi i radhës i kryeministrit Edi Rama në podcast-in “Flasim”, me të ftuar një prej figurave kryesore të neurokirurgjisë europiane, doktor Kita Sallabandën. Duke folur për reformën në sistemin shëndetësor në vendin tonë, Rama rikujtoi se për të punuar në privat, mjeku duhet që të njoftojë dhe të marrë miratim. Ndërkohë, theksoi se “sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e Kodit të Etikës”.
Këtë lidhjen e publikut me privatin, tani edhe për shkak të mësimeve që nxorëm nga historitë e pagëlltitshme të Onkologjikut, e kemi që thjesht mjeku që punon në publik mund të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim. Nuk mund të jetë “hajt se po nisem”. Sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e Kodit të Etikës.
Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se ajo që ndodhi te Onkologjiku ishte shumë prekëse.
Ishte një tregues që akoma kemi nevojë të përmirësojmë sistemin dhe mënyrën e angazhimit. Dihet, e ka thënë një veteran i famshëm i BBC-së se lajm nuk është kur kafshon qeni njeriun, por njeriu qenin. Në rastin konkret, lajmi nuk është që këta mjekë bëjnë 90 mijë ndërhyrje në vit, mirëpo kur të del një rast si ai, ose i Sanatoriumit, këto janë raste që godasin besimin te sistemi.
Spitalet në Shqipëri i shajnë ata që nuk i kanë parë në vitet e fundit, kanë kujtimet e së shkuarës. Kam dëgjuar edhe të huaj që kanë ardhur këtu që thoshin nuk e besojmë dot që Shqipëria ka një spital si ai i Sëmundjeve të Brendshme.
Nuk kërkohet llogari pse ndodh që del një derr, por llogaria duhet te sjellja ndaj problemit. Si reagon ndaj kësaj. Aty bëhet dallimi. E justifikon apo e sheh në sy dhe thua: ndjesë, ky ishte një moment i keq dhe hajde e përmirësojmë.
Neurokirurgu i cili punon në Spanjë tha se “tashmë fytyra e spitaleve shtetërore ka ndryshuar” e “njerëzit duhet të kenë besim”.
Duhet të shkojnë me besim se ka mjekë të mirë, të zgjuar, të shkathët, me njohuri. Ka mjekë që nuk të kërkojnë të paguash për të bërë ndërhyrje kirurgjikale ose trajtime. Kjo është e vërtetë. Që ka fenomene të tilla, ka. Duhet të shkojmë me shumë besim.
Pashë sallat e kirurgjisë së përgjithshme. Nuk ka ndryshim nga asnjë sallë kirurgjie në çdo vend të botës. Jua them si profesionist. Nuk kam qenë vetëm në Spanjë, kam qenë në Francë, Gjermani, Itali. Ai sistem që keni bërë në sistemin kirurgjikal, nuk i lë asnjë… madje i keni sallat më të mira se i kam unë në spitalin publik në Spanjë. Kur e them nuk e ekzagjeroj.
Sot Spitali Kirurgjikal apo i Urgjencës është një nga më të mirët që unë kam parë për strukturën, organizimin. Kjo është e vërtetë. Duhet mbushur me aparatura, që gradualisht do të bëhen e duhet të përkrahen mjekët.