Nisi me ndërprerje seanca plenare maratonë që sot dhe nesër i kushtohet buxhetit 2025 e ku në nisje të fjalës së tij, kryeministri Rama deklaroi:
Në hyrje të kësaj fjale për pr/buxhetin 2025, dua t‘iu përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim qeveria do të clirojë një fond prej 100 milion eurosh për bonusin e fundvitit. Ky bonus do të ndahet në dy shkallë, të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë do të marrin tre fishin e bonusit të deri djeshëm.
Ndërsa Rama fliste, opozita nisi të debatonte dhe iu afrua foltores duke çuar në të parën ndërprerje për sot të seancës së Kuvendit e ku më herët tërhoqi vëmendjen deputeti demokrat, Dashnor Sula i cili në Parlament hyri me presh dhe lopatë në dorë.
Pas ndërprerjes disa minutëshe, seanca plenare rifilloi e shefi i qeverisë rimori fjalën në foltore për të vijuar me prezantimin e buxhetit 2025. Rama tha se praktika e ndërprerjes së fjalës me forcë duhet që të marrë përgjigje me kalim në votim.
Praktika e ndërprerjes të fjalës së kujtdo qoftë që merr fjalën këtu në këtë tribunë duhet të marrë përgjigje me kalim në votim. Kjo lloj praktike nuk mund të legalizohet dhe të vazhdojë më tutje. Parlamenti është vendi ku secili thotë atë që mendon dhe secili mbron pozicionin e tij ndërsa spostimi fizik nga karriget drejt folësve dhe ulërimat nga vendi duhen sanksionuar me kalim në votim. Mbajeni parasysh këtë gjë!
Ministria e Financave ka publikuar draftin, sipas të cilit ekonomia e vendit parashikohet të zgjerohet me rreth 3.9% më 2025-ën. Sipas relacionit të projektbuxhetit, aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga rritja e mëtejshme e konsumit privat, si dhe nga investimet në infrastrukturë. Po ashtu nga zhvillimi i sektorëve strategjikë si turizmi. Krahasuar me planin e rishikuar për 2024-ën, të ardhurat buxhetore për 2025-ën parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.