Aktualitet Politikë

Rama në Selanik: Vorio Epiri, term i vdekur/Më kanë kërcënuar, fosile për gjynah!

Nga takimi i sotëm me shqiptarë në Selanik, kryeministri Rama dha lajmin se do të firmoset kontratë, që 8 mësuese të Gjuhës Shqipe t’u mësojnë gjuhën amtare vogëlushëve shqiptarë në Selanik. Po ashtu, bëri të ditur se ka marrë kërcënime nga ata që i quajti “fantazma të së shkuarës” që sot u ngritën në protestë, sipas tij “me parrulla të frymëzuara nga i ashtuquajturi “Vorio Epir”. Kryeministri vuri në dukje se si term “Vorio Epiri ka vdekur me kohë dhe me vakt”.

Në vazhdim të këtyre shfaqjeve të padëshiruara, diku këtu rreth e rrotull një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu për t’ju takuar. Me fletushka dhe me parulla qesharake të frymëzuara nga ai ashtuquajturi Vorio Epir, ata kanë bërë këto ditë në adresën time edhe kërcënime, të cilat mua më shkaktojnë vetëm keqardhje. Njësoj siç më shkakton keqardhje çdo spazëm e kujtdo në Shqipëri që ushqen ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë fqinje dhe mike.

Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë dhe me vakt. Ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të lodhur të qarqeve e individëve të dalë boje dhe të dalë kohe këtyre anëve. Kush e përdor akoma sot termin Vorio Epir kur flet për jugun e Shqipërisë tregon vetëm dritëshkurtësinë dhe pafuqinë e tij për të jetuar në shekullin e 21-të.

Këto janë fosile për gjynah, por nuk janë në asnjë mënyrë arsye që të ushqejmë brenda nesh ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë.

Greqisë, iu referua si një partnere “e pazëvendësueshme” që siç theksoi, “bashkë me Italinë dhe Turqinë përbën një trekëndësh strategjik të politikës sonë të jashtme” e më tej, Rama shtoi:

Për shqiptarët e Greqisë, ajo është shtëpia juaj ku jeni qytetarë të barabartë të Europës njësoj si grekët, pa asnjë dallim. Ku peripecitë e jashtëzakonshme tuaja për integrimin janë kujtime e histori, të trishta sa të duash, por edhe një histori krenarie e mishëruar në historinë heroike të ambicies të prindërve që erdhën këtu me fëmijët në krahë dhe luftuan për vendin tuaj në këtë tokë të Europës.

Në nisje të fjalimit që po mban në Selanik në kuadër të turit të Diasporës, kryeministri u ndal edhe te incidenti me gazetarët shqiptarë që për 3 orë u bllokuan në Kapshticë nga pala greke. Rama falënderoi ministrin e Jashtëm të Greqisë për ndërhyrjen e tij në zhbllokimin e kësaj situate, të cilën e quajti “absurde”. Shefi i qeverisë informoi se zyrtarisht do t’i drejtohet qeverisë greke për rishikimin e vendimit të vitit 2011 që ndalon gazetarin Marin Mema të hyjë në territorin e vendit fqinj.