Aktualitet Politikë

Rama në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Britani/ Me Melonin do të drejtojë tryezën për emigracionin!

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Britaninë e Madhe ku do marrë pjesë në Samitin e katërt të Komunitetit Politik Europian. Shefi i qeverisë u prit nga kryeministri Keir Starmer në Oxford. Në këtë samit është organizuar një pritje për liderët nga Mbreti Charles III dhe shefi i qeverisë Starmer.

Gjithashtu, do të organizohen dy tryeza të rrumbullakëta: një për emigracionin e paligjshëm që do të bashkëdrejtohet nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni me homologun Rama; si dhe një tjetër për mbrojtjen dhe sigurimin e demokracisë e që do të bashkëkryesohet nga presidenti i Këshillit Europian Charles Michel e presidenti malazez Jakov Milatoviç.

Samiti mbahet një javë pas takimit të NATO-s në Uashington. Udhëheqësit do të qëndrojnë në Pallatin Blenheim në Oksfordshër, që është vendlindja e kryeministrit legjendar britanik, Winston Churchill, jo shumë larg Londrës.

Ndoshta, fokusi më i madh do të jetë te njëri prej pasardhësve të tij, lideri i sapozgjedhur i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer. Si mikpritës i samitit, ai do ta bëjë përpjekjen e parë reale për ta riorientuar vendin që drejton drejt Europës në përgjithësi dhe Bashkimit Europian në veçanti. Tetë vjet më parë, Britania ka mbajtur një referendum që ka çuar në daljen e këtij vendi nga BE-ja.

Ndërsa pjesa më e madhe e planifikimit dhe përgatitjeve për samitin u zhvillua nën qeverinë e mëparshme konservatore, Brukseli vuri në dukje se zgjedhjet e përgjithshme në Britani, që u mbajtën në fillim të qershorit, nuk e penguan organizimin.

Zyrtarët në BE, në përgjithësi, janë të kënaqur me Starmerin, i cili është kryeministri i parë laburist që nga Gordon Brown në vitin 2010. Ata i shpërfaqën përshtypjet përgjithësisht entuziaste në prag të samitit të fundit të NATO-s në Uashington dhe kontaktet e para i cilësuan “pozitive”.

Gjithçka ka qenë mirë deri tani e duhet të kalojmë në përmbajtje, tha një zyrtar i lartë i BE-së në një konferencë për media.

Ekziston një ndjenjë se Britania dhe BE-ja kanë nevojë për një afrim politik. Lufta e vazhdueshme në Ukrainë është një arsye, por edhe perspektiva e një presidence tjetër të Donald Trump-it përtej Atlantikut.

Sa i përket samitit të Blenheimit, nuk mund të pritet ndonjë arritje e madhe, por një pakt më i përmirësuar i sigurisë mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, mund të parashikohet. Ndoshta një marrëdhënie më e fortë tregtare e rritje e ndërveprimit mes dy entiteteve.

Së shpejti, mund të zhvillohet edhe një samit BE-Mbretëri e Bashkuar për adresimin e disa prej këtyre pikave.