Aktualitet Politikë

Rama: Në pranverë, bonus i dytë për pensionistët!

Në Kuvendin e Shqipërisë, ku po vijon me prezantimin e projekt-buxhetit të vitit 2025, pas ndërprerjes disa minutëshe të seancës plenare, kryeministri Edi Rama njoftoi se në pranverë do të ketë një bonus të dytë për pensionistët krahas atij të fundvitit. Rama u shpreh se një fond për bonusin e dytë do të krijohet në ditët e para të dhjetorit, pranë Bankës së Shqipërisë e do të shpërndahet në pranverën e çdo viti.

Ky nuk është thjesht një hap i rëndësishëm në aspektin buxhetor, ky është hap kuptimplotë në drejtimin e shpallur për ta mbyllur rrethin e qytetarëve përfitues, duke filluar më në fund të përfitojnë edhe pensionistët. Nga ana tjetër, ky nuk është i vetmi hap, sepse paralelisht me shpërndarjen, në ditë para dhjetorit do të krijojmë pranë BSH-së edhe fondin e bonusit të dytë. Do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhuave vjetore të pensionistëve, duke ndarë një shumë të fituar nga rritja e ekonomisë.

Herë me fytyrën e rrudhur nga rënia prej fikut të pushtetit dhe herë me fytyrën e padjersitur akoma por plot oreks për pushtet, këta shitës qylymash fluturues kanë marrë rrugët në një përpjekje të zhurmshme për t’u shitur pensionistëve qylyma dhe shqiptarëve, në tërësi, një tufë përrallash. Ndërkohë që këta Sude dhe Rrapushë do të na ndihmojnë për ta bërë shumë të qartë dallimin mes ecjes tonë të mëtejshme në rrugën e shtetbërjes europiane të Shqipërisë, dua të sjell këtu vetëm një nga shumë fakte të punës së mirë që kemi bërë në këto vite si shumicë qeverisëse edhe për pensionet.

A e dini se mësueset me 38 vite pune që kanë dalë në pension përpara se të vinim në qeveri e merrnin pensionin rreth 23 mijë lekë ndërsa çdo mësuese me të njëjtat vite pune që ka dalë në pension pas 2014-ës e ka pensionin rreth 36 mijë lekë?

Po për të njëjtat vite pune dhe kontribute në sigurimet shoqërore, një mjek me 40 vite punë, i dalë në pension para 2014-ës, me pension maksimal 24 mijë lekë plus indeksimet, merr 35 mijë lekë ndërsa mjekët e pensionuar pas 2014-ës, sot e kanë pensionin 51 mijë lekë.

E njëjtë për gjyqtarët dhe ekonomistët. Ata të pensionuar para kësaj dekade, dalë në pension me atë 24 mijë lekëshin tavan, sot marrin 35 mijë, falë indeksimeve ndërsa gjyqtarët dhe ekonomistët e pensionuuar gjatë qeverisjes tonë, falë reformës së 2014-ës, e kanë pensionin 53 mijë lekë.

Ndërsa seanca plenare e nisur sot në orën 10:00 përfundon nesër, opozita ka bërë thirrje për protestë. Koordinatori rajonal për Tiranën, Klevis Balliu bëri një thirrje gjatë një takimi me demokratët e Degës 16 në kryeqytet:

Nesër në orën 17:00 të bashkuar kundër buxhetit që varfëron qytetarët për të pasuruar pushtetarët. Në këtë me demokratët në degën 16 bashkë me Kryetaren Onelda Gj. Zefi dhe anëtarin e kryesisë zotin Gent Strazimiri diskutuam mbi aksionin e opozitës dhe kapjen e drejtësisë nga pushteti. Kurrë nuk do të ndalemi së luftuari të keqen, tanimë pushteti i varfërimit të qytetarëve do të shkërmoqet.  Nesër ora 17:00 të bashkuar kundër vjedhjes!