Kryeministri Edi Rama vlerësoi kontributin e presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Europian, që ka nxitur, bashkërenduar dhe bërë të mundur që pas disa ditësh, Shqipëria të hapë një pjesë të madhe të negociatave me BE-në. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp nga Budapesti me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, Rama i shprehu atij mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur për Ballkanin Perëndimor dhe jo thjesht mbështetje me fjalë, por me vepra.
Ai gjithmonë ka thënë që Ballkani Perëndimor është po aq i rëndësishëm për BE-në sa BE-ja për Ballkanin Perëndimor. Ndaj me kërshëri pres që shumë e më shumë gjëra do të bëhen ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Hungarisë edhe po të mos jetë vetëm në lidhje me gjërat që kanë të bëjnë me Procesin e Berlinit apo me planin e rritjes, por edhe në fushën financiare për aspekte që kanë të bëjnë më të nxënit nga historia dhe për ta gjykuar të tashmen duke u përpjekur që të mos na befasojë e ardhmja.
Duke u ndalur te procesi i integrimit europian, Rama vlerësoi edhe kontributin e Komisionerit të BE-së, Oliver Varhelyui, i cili e ka shoqëruar Shqipërinë për 5 vite në këtë proces.
Varhelyui ka qenë kyç dhe vendimtar për shumë nga ato arritje tonat, pra për këto arritje të rëndësishme, jo vetëm në aspektin dypalësh, ndërmjet nesh dhe BE-së, por edhe në aspektin shumëpalësh, pra me të gjithë ne, në rajon. Ka qenë vërtetë kënaqësi që të punonim me të dhe nuk jemi të kënaqur që nuk do të kemi mundësinë që të vijojmë të punojmë me të, por i urojmë suksese në të ardhmen dhe sigurisht që i detyrohesha këtë falënderim nga qyteti i vet, nga Budapesti.
Kryeministri theksoi po ashtu se Shqipëria e ka parë gjithmonë Hungarinë si shembull, si model sa u përket reformave të brendshme në administratë, në qeveri.
Reforma për të gjetur mënyra krijuese që ministritë të jenë sa më efikase si edhe sa i përket një shoqërie ku ka mirëqenie, duke filluar nga kushte jo shumë inkurajuese sa u përket financave. Kështu që ne kërkojmë që të mësojmë gjithmonë e më shumë nga Hungaria dhe nga të gjithë ata që menaxhojnë sektorë të ndryshëm.
Orban theksoi se Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE-së e duhej të ishte pjesë edhe tani.
Tani kemi situatën e kundërt. Unë kërkova ndihmën e tij sepse tashmë ne kemi mundësinë që t’i kemi këtu miqtë tanë shqiptarë. Sepse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për 15 vite mesatarisht për t’u bërë pjesë e BE, ndërsa Shqipëria ka pritur që prej vitit 2019. Dhe unë në fakt kam folur për këtë gjë dhe kur isha në Strasburg sepse mendoj që kura më e mirë për të gjithë këtë situatë dhe e thashë këtë edhe në Strasburg, është që BE t’i mirëpresë vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e vet, sepse kështu do të qarkullojë më mirë gjaku tek ne, në familjen evropiane.