Rajoni

Rama nderohet me një çmim në Prishtinë: I nderuar!

Kryeministri Edi Rama është nderuar sot në Prishtinë çmimin “Çelësi i Qytetit”.

Këtë çmim ai e ka marrë nga kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

“I nderuar të marr çmimin “Çelësi i Qytetit” nga Përparim Rama, Kryetari i Komunës së Prishtinës, kryeqytetit tjetër të shqiptarëve”, shkruan Rama në Facebook.

Kujtojmë se kreu i qeverisë ndodhej sot në Prishtinë në një aktivitet të organizuar në sajë të 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

Në Prishtinë, Kryeministri Rama, ka vijuar kritikat ndaj Albin Kurtit duke thënë se duhet që të afrohet me vendet e BE dhe të heqë dorë nga loja që kryeministri e cilësoi si loja ‘macja me miun’ me Serbinë.

“Nëse Kosova do të dilte nga loja macja me miun me Serbinë dhe me një ekip uniteti do ti drejtohej BE dhe të thoshte ne s’duam të flasim me Serbinë, por jemi këtu të flasim me BE, për të përmbushur detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve të BE për tu afruar me ju, pastaj se ca bënë Serbia është punë e saj. Ky konfrontimi macja me miun në tavolinë nuk e çon asgjëkundi. Serbia mund të mos dojë kurrë të njohë Kosovën, por Kosova duhet që të përparojë në pikën që të gjithë ta njohin vendet e tjera si një shtet model që përmbush të gjitha standardet që duhet të qëndrojë bashkë me vendet e tjera”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se Kosova nuk duhet që të humb kohë duke vrapuar pas vetes, por duhet që të ecë përpara.

Serbia mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën, por kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën ku të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar bashkë me të tjerët në komunitetin e shteteve dhe unë jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi, kjo gjë është e arritshme, jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme por edhe ku në një farë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme. E thashë dhe më parë, ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla, ne nuk jemi kërthiza e  botës dhe sa herë kemi menduar që jemi kërthiza e botës, e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si “trimi i mirë me shokë shumë” dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe investimin e shumë të tjerëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe miqve tanë ndërkombëtarë në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur. Kështu që në këtë sens për t’iu përgjigjur pyetjes se si e shoh Kosovën sot, Kosova është shumë e bukur, Kosova  i ka të gjitha mundësitë dhe Kosova nuk ka pse të humbë kohë, duke vrapuar rreth vetes vet.