Aktualitet

Rama ndan 200 tituj pronësie në Theth, jep dhe dy lajme të mira për zonën!

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Theth për të ndarë më shumë se 200 titujt e pronësisë së shtëpive në aty dhe në disa zona të tjera të Veriut.

“Siç u dhashë fjalën, në fund të muajit ne do të riktheheshim dhe ja ku jemi sot. Por jo thjeshtë për të biseduar, por për të shpërndarë titujt e pronësisë. Për të cilët nuk është se e nisëm punën atë ditë, por një punë e nisur prej kohësh për zonat si zona juaj.

Sot janë 200 tituj pronësie që janë këtu, ndërkohë janë dhe 90 tituj të tjerë, për 40 prej tyre duhet bashkia e Shkodrës të bëjë ndryshim në studimin e zonës që është një çështje e natyrës ligjore, por jo e vështirë që besoj do përfundojë brenda shtatorit, dhe për 50 të tjerë është problematika e ndërtimin në tokën e tyre por përtej aftit për legalizimit. Do të gjejmë një zgjidhje për këtë, një zgjidhe e dedikuar për të gjithë ata që janë në kushtet tuaja”, u shpreh Rama.

Ndërkohë kreu i ekzekutivit dha edhe një lajm të mirë për gjobat që janë marrë për ndërtimet apo ndërhyrjet pa leje në shtëpitë ekzistuese.

“E dyta që ju e shtruat në takimet e bëra herën e fundit, çështja e gjobave. Këtu ka një masë të madhe gjobash që janë vendosur si rezultat i ndërtimeve apo ndërhyrjeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër, që janë bërë për shkak të nevojës për krijim ekonomie përmes turizmit dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit, sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë e ka bërë të pamundur. Qeveria do t’i fali të gjitha këto gjoba, sepse nuk janë tipikisht ndërtime të bëra abuzivisht për t’iu shmangur ligjit. Por kjo nuk do të thotë që do të lejohen ndërtime të tjera pa leje”, u shpreh Rama.

Nga Thethi ku ndau tituj pronësie, kryeministri Edi Rama tha se brenda vitit do të përfundojë edhe rruga e Dukagjinit.

Kreu i qeverisë tha se kjo rrugë do të lehtësojë turizmin dhe do tu hapë mundësi të reja banorëve, ndërsa i bëri thirrje edhe emigrantëve të kthehen të investojnë.

“Projekti që bëmë për riparimin e shtëpive, e dini që ju ka sjellë shumë më tepër fuqi për tëe atraktuar turistë. Këtu syri ngado të rrotullohet duhet të shijojë dhe të mrekullojë  jo të vritet. E njëjta gjë me infrastrukturën, edhe që gjërat të ruhen mos të prishet. Brenda vitit rruga e Dukagjinit do të përfundojë, do të hapë një tjetër perspektivë dhe zonë magjikë që sot vizitohet me vështirësi të madhe.

Do të hapi tjetër mundësi për banorët. Jemi duke e përfunduar paketën e maleve që t’i japim mundësi të gjithë emigrantëve të kthehen. Beneti po më thoshte që ka kërkesa të kthehen emigrantët dhe të investojnë.

Po ndërtojmë program të veçantë që tu jepet toka dhe mundësia të punojnë me leje para se të marrin titujt e pronësisë. Edhe te banka do bëjmë ndërhyrje ta lehtësojmë dhe të mbyllim ciklin, tu japim mundësi ata që janë jashtë të rikthehen.”-u shpreh Rama.