Kryeministri Edi Rama do të rinisë takimet me Diasporën shqiptare në botë. Pas takimeve që u zhvilluan në Athinë dhe Milano gjatë muajit Maj, kreu i qeverisë në 26 Tetor do të jetë në mesin e shqiptarëve të Amerikës.
Sipas njoftimit që iu është shpërndarë përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në SHBA, takimi do të zhvillohet në New York, në adresën Gotham Hall, 1356 Broadway.
Ky është takimi i parë i Ramës me shqiptarët e Amerikës, pas nisjes së turit të Diasporës.
Kujtojmë se për shkak të zgjedhjeve europiane në muajin qershor, kryeministri Edi Rama anuloi turin e takimeve me Diasporën e Gjermanisë.
Rama kishte planifikuar udhëtim edhe në Londër por që për shkak të situatës politike dhe zgjedhjeve të parakohshme atje, takimi u anulua për një datë tjetër.
Kryeministri pati njoftuar se do t’i rikthehej turit të Diasporës në vjeshtë.