Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, çështjet rajonale dhe globale, në fokus të një bisede telefonike të kryeministrit Rama me presidentin turk Erdogan. Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë, Erogan u shpreh se marrëdhënia mes dy vendeve është në një nivel të avancuar dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të forcohet më tej përmes kontakteve tregtare, ekonomike e ushtarake.
Siç raportojnë mediat turke, referuar njoftimit zyrtar, presidenti Erdogan iu referua dhe atyre që i quajti “përpjekje frustruese të organizatës terroriste FETO për të fituar terren në Shqipëri”. Po ashtu, shprehu besimin se Tirana zyrtare do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët arsimor, shëndetësor e fetar.
FETO dhe lideri i saj me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fethullah Gulen, akuzohen nga Ankaraja se orkestruan grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut 2016 në Turqi, në të cilin 252 persona humbën jetën dhe 2 mijë e 734 të tjerë u plagosën.
Po ashtu, FETO-ja akuzohet se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici e në gjyqësor.