Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviq, i bënë thirrje të hënën Bashkimit Evropian dhe Perëndimit të ndërmarrin masa kundër Serbisë, pas sulmit nga një grup i armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
Rama, i cili është në një vizitë në Zagreb, tha se agresioni i “forcave paramilitare është po aq shqetësues sa vetë reagimi i Beogradit”, sipas Radio Televizionit të Kroacisë (HRT).
Thirrja e dy liderëve vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
“Ne e kemi një krim, një vrasje të një oficeri policor, dhe e kemi heroizmin e atyre që e kryen krimin”, tha Rama, duke ngulur këmbë se një gjë e tillë nuk duhet të jetë e pranueshme në Evropë, e cila ka vlera të kundërta me këtë.
Dy ditë pas sulmit, Qeveria e Serbisë shpalli ditë zie për tre sulmuesit e vrarë në Banjskë.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Plenkoviqi tha se Serbia e pranoi në njëfarë mënyre përfshirjen në sulm duke shpallur zi për sulmuesit e vrarë.
“Ne besojmë se shpallja ditë zie për tre de fakto terroristët që vranë policin e Kosovës ishte një veprim i papranueshëm dhe nuk jemi aspak të kënaqur që një lëvizje e tillë politike është bërë në këtë moment, gjë që pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ata kanë bërë. Nga kjo jam i sigurt se në ditët e ardhshme, pas një analize tërësore, është gjithmonë mirë të informohemi plotësisht se çfarë dhe si ndodhi, do të ketë propozime”, tha Plenkoviç.