Blendi Gonxhja ka reaguar pas ndryshimeve në qeveri, ku kryeministri Edi Rama ka propozuar emrin e tij si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Një privilegj e quan Gonxhja, ndërsa thotë se ndihet i nderuar për vlerësimin që i ka dhënë Rama për këtë emërim sfidues.
Teksa aktualisht drejton DPSHTRR, Gonxhja shkruan se kjo është një përgjegjësi e re për të shërbyer për më shumë qytetarë e sektorë në vend.
“Jam thellësisht i nderuar për vlerësimin e besimin e Kryeministrit Rama në këtë emërim kaq sfidues! Një privilegj që vjen me përgjegjësi të jashtëzakonshme e përkushtimin për të punuar me pasion e përulësi për të shërbyer me ide e zgjidhje për më shumë qytetarë e sektorë në vend”, shkruan Gonxhe.
Kreu i qeverisë njoftoi dje ndryshime në kabinetin qeveritar, ku duke bërë me dije formimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Kështu, shkrihet ministria e Kulturës, me Elva Margaritin që largohet nga kabineti, ndërsa zvogëlohet portofoli i Ervin Metes, i cili tashmë do të jetë ministër vetëm i Financave. Kryeministri i ka dërguar Presidentit Bajram Begaj dekretin për emërimin e Blendi Gonxhes.
Kush është Blendi Gonxhja?
Blendi Gonxhe aktualisht mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Në vitin 1998, ai u emërua si Shef i Kabinetit i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku u angazhua për zhvillimin e politikave mbrojtëse dhe të qëndrueshme të cilat u finalizuan me njohjen e Butrintit si Park Kombëtar, krijimin e Fondacionit të Butrintit (një nga zonat më të rralla për vlerat arkeologjike dhe të ekosistemeve në rajon), zhvillimin e Projektit të Bankës Botërore për turizmin elitar, ruajtjen e Zonës së Bregdetit të Jugut, si dhe shumë projekte të tjera në promovimin e artit dhe kulturës në Shqipëri.
Në vitin 2000, u emërua Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa nga Nëntori 2018, e deri më tani Gonxhe ka qenë në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nga Gushti 2015, Gonxhe iu bashkua ekipit të Bashkisë Tiranë të drejtuar nga Kryetari Erion Veliaj si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit. Më pas, nga tetori 2015, drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë, ku gjatë periudhës që drejtoi këtë agjenci, u ndërmorën nisma thelbësore për kryeqytetin që sollën transformimin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial dhe rikualifikimin e objekteve publike.
Si një ndër zërat më të spikatur rinor, Blendi Gonxhe ishte ndër protagonistët kryesorë udhëheqës të Lëvizjes Studentore për Demokraci që shpejtoi fundin e regjimit më të egër komunist të Lindjes në Dhjetor 1990 dhe ndër themeluesit e partisë së parë opozitare, të erës postdiktatoriale. Në vitin 1991, udhëhoqi grevën studentore për shembjen e kulteve të diktaturës. Përgjatë viteve të angazhimit publik, Blendi Gonxhe ka themeluar dhe drejtuar shumë organizata e shoqata rinore, jo-qeveritare dhe humanitare.