Aktualitet Sport

Rama: Durrësi në Xhiron e Italisë të Varkave me Vela!

Durrësi përfshihet në Xhiron e Italisë të Garave me Vela. Kryeministri Edi Rama bën të ditur sot se qyteti bregdetar është futur në listën e garave të këtij aktiviteti të madh të sporteve ujore italiane e që organizohet nga Marina Ushtarake e vendit fqinj.

Rama uron shqiptarët në këtë ditë pushimi me Durrësin që këtë vit përfshihet në Xhiron e Italisë me vela, duke u bërë pjesë e një spektakli tradicional të Marinës Ushtarake Italiane.

Gara e Italisë e Varkave me Vela është një nga sportet më popullore e tradicionale që jo vetëm tërheq të apasionuarit pas sporteve ekstreme ujore, por edhe promovon fuqishëm pikat e shumta turistike të bregdetit italian.

Futja edhe e Durrësit në hartën e këtij aktiviteti me etapën Vendi i shqiponjave – Durrës, vlerësohet se i hap një perspektivë të re zhvillimit të këtij sporti edhe në vendin tonë, duke u bërë edhe një promovues elitar i bukurive të bregdetit shqiptar të Adriatikut e nxitjes së turizmit gjithashtu.