Bota

Raketa balistike në Kiev, sulme nga Rusia!

Lufta në Ukrainë, sot Rusia kreu sulme me dronë, me raketa lundruese dhe balistike ndaj kryeqytetit ukrainas Kiev. Nga burime zyrtare raportohet se të paktën dy persona mbetën të plagosur ndërsa zjarri i shkaktuar nga rënia e copëzave të raketave ka dëmtuar shtëpi dhe pjesë infrastrukture.

Objekti i një impianti uji, por që shërbente si vendstrehim ndaj bombardimeve në Kiev mbeti i dëmtuar pjesërisht, siç tha kryebashkiaku Vitaliy Klitschko.

Dy persona u plagosën gjatë sulmit dhe ekipet e ndërhyrjeve emergjente shkuan në disa qarqe të Kievit, pas rënies së copëzave të raketave.

Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, tha se mbi 10 raketa lundruese, 10 raketa balistike dhe një dron që u gjuajtën nga Rusia ndaj Kievit u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Për rreth dy orë, në mbarë Ukrainën u lëshuan alarmet për sulme ajrore. Më pas, autoritetet thanë se qiejt e Ukrainës ishin të sigurt. Polonia fqinje, shtet anëtar i NATO-s ngriti në ajër avionët e saj dhe të aleatëve për të mbajtur të sigurt hapësirën ajrore gjatë këtyre sulmeve. Lajmin e konfirmoi agjencia Reuters.

Ndërkaq, në Harkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, dy dronë goditën një objekt banimi dhe një shkollë, siç raportuan mediat ukrainase. Nga këto sulme nuk u raportua për viktima. Ato vijnë një ditë pasi ushtria e Rusisë njoftoi se ka shkatërruar 158 dronë të Ukrainës që ishin lëshuar drejt rajoneve ruse.

Ky është cilësuar si një prej sulmeve më të mëdhenj të kryer nga Ukraina, që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022. Po ashtu, ky sulm u krye disa javë pasi forcat ukrainase nisën një ofensivë në rajonin rus të Kurskut.

Rusia do të bëjë ndryshime në doktrinën e saj bërthamore në përgjigje të veprimeve të Perëndimit sa i përket luftës në Ukrainë”. Deklarata u bë nga zv.ministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS. Ryabkov nuk dha detaje se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë. Doktrina aktuale bërthamore e Rusisë është përcaktuar përmes një dekreti të presidentit Vladimir Putin, më 2020-ën.