Rafael Nadal nuk do të jetë pjesë e “US Open”. Njoftimin e bëri zyrtar vetë tenisti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur vendimin e tij për të marrë pak kohë përpara se të kthehet sërish në fushë.
Pas pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike të Parisit 2024 ndeshjet në teke dhe dyshe së bashku me Carlos Alcaraz, spanjolli ka vendosur të mos marrë pjesë në turneun e SHBA-së. 22-herë fituesi i Grand Slam-eve pranoi se nuk ndihet në gjendje të japë 100% e tij. Nadal caktoi edhe datën e rikthimit, e cila do të përkojë me “Laver Cup”, që do të mbahet nga data 20 deri më 22 shtator në Berlin.
Spanjolli, i cili u eliminua nga Novak Djokovic në raundin e dytë të turneut olimpik, do të përfaqësojë “Team Europe” në garën ekipore të krijuar nga Roger Federer. Tërheqja e tij nga tenisi duket gjithnjë e më afër por, për momentin, asgjë nuk është e sigurt. Siç e ka pranuar edhe vetë spanjolli, këtë vendim do ta marrë pa asnjë nxitim dhe presion.
Rafael Nadal dhe Carlos Alcaraz avancuan për në çerekfinalet e tenisit në lojën dyshe të Lojërave Olimpike në Paris 2024. Dyshja spanjolle mposhti me shifrat 2-1 dyshen holandeze, Griekspoor dhe Koolhof dhe tashmë i afrohen më shumë objektivit për të qenë në zonën e medaljeve. Megjithatë, pas sfidës, ishte Nadal ai që u shpreh se medalja në Paris nuk është diçka e mirëqenë për atë dhe Alcaraz, dhe se vetëm njerëzit që nuk e kuptojnë tenisin mendojnë se dyshja e ka të sigurt zonën e medaljeve.