Bota

Qyteza e pasur gjermane ku e djathta ekstreme është në rritje, ankohet se i quajnë ‘nazistë’!

E mbushur me kolona të mprehta kishash në stil gotik, qendra 1,000-vjeçare e qytetit Kaufbeuren në Bavari i ka shpëtuar bombardimeve të Luftës II Botërore e gjithashtu shkarravinave të vandalëve.

Papunësia këtu është shumë e ulët dhe ushtria gjermane u tërhoq nga planet për të vendosur aty një shkollë aviacioni për gjuajtësit Eurofighter e Tornado.

Por teksa votuesit duhet të zgjedhin përfaqësuesit e Parlamentit Evropian muajin që vjen, zyrtarët ngrejnë alarmin e rritjes së mbështetjes për të djathtën ekstreme ‘Alternative für Deutschland’ (AfD) në një nga qytetet më të pasura të vendit.

Lidhja e banorëve me këtë forcë nuk është lëkundur megjithë disa skandale të AfD, si tërheqja e Maximilian Krah nga elita e partise, pas deklaratës për rrjetin italian La Repubblica se “nazistët e grupeve SS, nuk ishin të gjithë kriminelë” dhe se duhet të gjykohen sjpas fajit “fajit individual”.

Krah ishte sinjalizuar gjithashtu për lidhje të dyshuara me Kinën e Rusinë, pas arrestimit të një ndihmësi me akuza të ngjashme, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Pas dorëheqjes së tij, zyrtari tha për mediat se akuzat janë “një tentativë largimi të vëmendjes nga argumentet tona politike” dhe kërcënoi veprim ligjor ndaj të akuzuarve.

Sondazhet tregojnë se AfD shkon drejt zgjedhjeve të PE me 14-18% të mbështetjes, më poshtë nga 23% që zotëronte në fund të vitit të shkuar, por shumë më lart se 11% që kishte në 2019. Kështu që megjithë problemet, Krah duket se ka të siguruar vendin në PE.

AfD vijon të fitojë territor në jugun e pasur të Gjermanisë, ashtu si dhe në lindjen ish-komuniste, me pikëpamjet e saj kundër emigracionit apo luftës në Ukrainë, çka i ka dhënë nxitje dhe lëvizjeve lokale pro-demokraci.

Një në çdo pesë votues në Kaufbeuren, mbështeti AfD në zgjedhjet e fundit teksa mbështetësit e Krah refuzojnë politikat e koalicionit të majtë të Olaf Scholz.

“Është një katastrofë, qeveria më e keqe që kemi pasur ndonjëherë”, tha punonjësja civile Manuela, 55 vjeçe, e cila si shumë mbështetës të AfD refuzonin të jepnin mbiemrin. Ajo kishte ardhur në mitingun e të djathtës bashkë me të bijën adoleshente, teksa tha se “nuk ndjehej më e sigurtë në rrugë prej islamistëvë”.