Auto & Moto Bota

Qyteti i parë italian që kufizon shpejtësinë e ngarjes së makinës në 30 kilometër në orë!

Bolonja është bërë qyteti i parë italian që ka kufizuar shpejtësinë e ngarjes në 30 kilometër në orë, gjë që ka nxitur protesta nga shoferët e taksive të cilët kërkojnë rritjen e çmimeve të shërbimeve të tyre. Kjo lëvizje nga kryetari i qytetit italian, Matteo Lepore, ka tërhequr kritika nga opozita e cila thuhet se po planifikon një referendum për këtë çështje.

Gjithashtu, ky vendim u dënua edhe nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës së Italisë. “Qytetarët e Bolonjas janë të shqetësuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshimin e shpejtësisë, por ky ligj po ndryshon edhe jetën”- tha organizatori i protestës, Andrea Spetoli, duke theksuar se qytetarët po ankohen që për shkak të masave të reja po vonohen për në punë.

Shqetësim në lidhje me ligjin e ri kanë shprehur edhe shoferët e autobusëve, të cilët thanë se shpejtësia e vogël mund të çrregullojë oraret e të rrisë aksidentet, pasi njerëzit priren të fokusohen më shumë te matësi i shpejtësisë sesa te rruga. Por, duke u bazuar në faktin se kjo masë zbatohet edhe në qytete tjera evropiane si Brukseli, Parisi, dhe Grazi, Bolonja shpreson se qytetarët e saj gradualisht do të përshtaten me ndryshimin.