Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur pasditen e sotme para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke protestuar për vajzën 3-vjeçare që ra pre e dhunës nga një edukatore në një kopsht privat.
Protesta vijon për të dytën ditë me radhë ku kërkohet më shumë kontroll dhe siguri për fëmijët nëpër kopshte pasi rastet e dhunës janë të shumta.
‘Jemi për të kërkuar drejtësi për të funksionuar institucionet si duhet. Nuk do të heshtim kurrë për fëmijët tanë. Do të ngremë zërin dhe do të protestojmë për fëmijët tonë.’- tha një qytetar.
‘Të parandalohen rastet si këto. Të jetë prezenca e një psikologu në kopësht.’- u shpreh një qytetare.
Qytetarët kanë marrë edhe fëmijët e tyre të vegjël në protestë, të cilët mbajnë postera në duar me mbishkrimin “Stop dhunës”.
Majlinda Dehima, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se dhunoi fëmijën 3-vjeçar në kopshtin ‘Stinët’. Arrestimi i saj është kryer pas kërkesës së prokurorisë për masën ‘arrest me burg’ për veprën penale ‘Keqtrajtim i të miturit’. Sipas prokurorisë kjo kërkesë u bë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb).
Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim M. D., për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, të parashikuar nga neni 124/b/1 i K.Penal.
Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.
Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal.- njofton prokuroria.