Rajoni

QUINT-i dhe BE-ja kritikojnë qeverinë për shpronësimin e tokave në veri

Ambasadat e shteteve të QUINT-it, (Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca e Italia], Zyra e Bashkimit Evropian dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, sot kritikuan qeverinë lidhur me vendimin e saj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Në deklaratën e QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së thuhet:

Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive proceduralehe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin paraprak të shpronësimit, të cilin qeveria ende nuk e ka adresuar.

Qeveria e Kosovës ka filluar procesin e shpronësimit në komunën e Leposaviçit e atë të Zubin Potokut në mes të janarit të vitit 2023, kur disa toka atje i shpalli “pasuri të paluajtshme me interes të veçantë publik, të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Bazuar në vendimin paraprak të qeverisë, sipërfaqja e përgjithshme e shpronësimit të planifikuar në atë kohë ishte rreth 104 hektarë në Leposaviç e rreth 33 hektarë në Zubin Potok.

Por, në vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës të datës 30 maj, thuhet se në Leposaviç do të shpronësohen 96 hektarë, që do të thotë tetë hektarë më pak.

Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim, thuhet në deklaratë. Ndër tjerash theksohet se është “thelbësore që Qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin”. Aty shtohet se duhet të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve të respektohen plotësisht.

Një ditë më parë, Gjykata e Apelit e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se shqyrtimi i një vendimi të Gjykatës Themelore lidhur me këtë çështje është ende në vazhdim.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu:

Gjykata ka qenë e qartë kur ka konstatuar se shumica e paditësve nuk kanë pasur legjitimitet për të nisur procedura ligjore, sepse nuk kanë mundur të dëshmojnë pronësinë e tyre mbi tokën që është subjekt i shpronësimit. Në vazhdën e kësaj, qeveria ka vepruar në bazë të vendimeve gjyqësore dhe ligjeve në fuqi.