Rajoni

QUINT-i dhe BE-ja kritikojnë Kosovën për refuzimin e vizitës të patriarkut serb!

Ambasadat e Shteteve të QUINT-it dhe Bashkimi Europian kanë kritikuar Kosovën për refuzimin e kërkesës për vizitë të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije dhe të disa priftërinjve të tjerë. Dje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës arsyetoi vendimin për refuzimin e kërkesës për qëndrim në Kosovë të patriarkut serb.

Vizita të tilla nuk do të lejohen derisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes.

Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi sot se është Kosova që ka shkelur Marrëveshjen për vizita zyrtare, të arritur në dialogun për normalizimin e raporteve, se sipas tij, vizita e Porfirijes ishte paralajmëruar, siç kërkohet në akord.

Duke i refuzuar hyrjen, qeveria e Kosovës jo vetëm që e ka shkelur Marrëveshjen e vitit 2014 për vizita zyrtare, por në mënyrë të ashpër e ka injoruar edhe rëndësinë që ka Kisha Ortodokse Serbe për një pjesë të qytetarëve të Kosovës dhe kjo shkon kundër parimeve themelore të një shoqërie shumetnike, tolerante dhe demokratike.

Ndërkaq, përmes një deklarate të përbashkët, ambasadat e shteteve të QUINT-it: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Amerika dhe Zyra e BE-së në Kosovë shprehën shqetësim për refuzimin e vizitës së Porfirijes.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me nenet e Planit të Ahtisaarit, ku përcaktohen qartë të drejtat, privilegjet dhe imuniteti për klerin e Kishës Ortodokse Serbe dhe po ashtu nuk është në përputhje me detyrimet e Kosovës që dalin nga dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja.

QUINT-i tha se pret që Qeveria e Kosovës të përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut, si në kornizën e saj ligjore, por po ashtu dhe përmes veprimeve.

Ne vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje palëve që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.

Një ditë më herët, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili njëherazi është kryenegociator i Serbisë në dialogun me Kosovën, tha se Porfirije ishte nisur dje drejt Kosovës për të marrë pjesë sot në Kuvendin e Shenjtë të Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës.

Ai tha se Zyra Ndërlidhëse e Beogradit, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat e vlefshme ka dërguar njoftimin për planet e vizitës në Pejë.

Gjatë një konference për media në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se në raundin e ri të dialogut që mbahet nesër, ndonëse ka një axhendë specifike, pritet të ngrihet edhe çështja e refuzimit të kërkesës për vizitë në Kosovë e kreut të Kishës Ortodokse serbe.

Në fillim të majit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ia kishte refuzuar kërkesën për vizitë edhe Petar Petkoviçit, duke mos dhënë arsye për një vendim të tillë.