Bota

Qindra viktima nga përmbytjet në Afganistan!

Më shumë se 300 viktima dhe mbi 1 mijë shtëpi të shkatërruara, si pasojë e përmbytjeve nga shirat sezonalë në Afganistan. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha se po shpërndan ushqime për të mbijetuarit, në njërën prej zonave të goditura, në veri. Për viktima foli edhe një zëdhënës i qeverisë talebane afgane, por nuk saktësoi shifra.

Pjesa veriore e vendit pësoi përmbytjet më të mëdha. Provinca Baghlan ishte më e goditura një ditë më parë, me zyrtarët që fillimisht raportuan se të paktën 50 vetë gjetën vdekjen dhe shtuan se shumë prona u shkatërruan në qarqe të shumta.

Në provincën e afërt, Takhar, mediat shtetërore afgane bënë të ditur se të paktën 20 njerëz u mbytën si pasojë e vërshimeve.

Zabihullah Mujahid, zëdhënës i qeverisë talebane, shkroi sot në rrjetin social X se “qindra njerëz vdiqën nga këto vërshime katastrofike, si dhe një numër i madh personash kanë pësuar lëndime”. Mujahid nënvizoi se provincat Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat pësuan dëmet më të rënda nga përmbytjet.

Ai shtoi se “shkatërrimi i madh” ka rezultuar në “humbje të jashtëzakonshme financiare”. Sipas tij, qeveria ka urdhëruar grumbullimin e të gjitha burimeve në dispozicion për shpëtimin e njerëzve, transportimin e të lënduarve dhe nxjerrjen e trupave të viktimave nga uji.

Më herët, zyrtarët patën thënë se në muajin prill, para vërshimeve të djeshme, ishin 70 vetë që ndërruan jetë si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe përmbytjet në vend. Rreth 2 mijë shtëpi, tre xhami dhe katër shkolla u dëmtuan po ashtu.