Aktualitet Fol

Qindra testamente dhe dëshmi trashëgimie false, avokati: “Fajin e kanë noterët, duhet të mbajnë përgjegjësi!”

Në episodin e dhjetë të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” është trajtuar tema e lënies së testamentit, problemet që hasen dhe trajtohet gjithashtu efekti i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që urdhëron Kuvendin të ndërhyjë në Kodin Civil sa i përket rrethit të përfituesve të testmentit, kur një testator lë testamentin.

Por edhe falsifikimet janë një proble shumë i madh. Për të diskutuar në lidhje me këtë i ftuar ka qenë edhe avokati Alban Duraj.

Pjesë nga intervista: 

Anila Hoxha: Në çfarë pike është hetimi dhe përse është kaq e vështirë që të zbulohet një dokument i falsifikuar?

Alban Duraj: Mendoj që kjo është çështje vullneti sesa çështje vështirësie përsa i përket zgjidhjes së këtij kazusi.

Anila Hoxha: Por, avokat shkresat tregojnë se një nga personat që është denoncuar ka ndërruar jetë, që është pjesë e kësaj skene dhe me këtë argument prokuroria ngre duart dhe thotë që nuk mund të hetojmë sepse i dyshuari ka ndërruar jetë. Ju thoni me këtë se ndërkohë duhet të hetoheshin edhe noterët të cilët ishin pjesë dhe firmosën një dokument ku personi që ishte pjesë e trashëgimisë nuk ka qenë i pranishëm?

Alban Duraj: Jo, vetëm noteri. Por, kjo mendoj që është edhe një përgjegjësi përsa i përket administratorit të shoqërisë i cili është pjesë në këtë bashkëpunim mes noterit dhe personit që ka ndërruar jetë. Ata të cilët e kanë kryer këtë vepër penale mbajnë përgjegjësi. Sepse aty është e zeza mbi të bardhë që kemi të bëjmë me trashëgimtarë të rregullt ligjorë të cilët e kanë të regjistruar emrin e tyre në certifikatën e pronësisë. Ndërkohë që prokuroria merr për bazë një dokument i cili nuk ka gjeneralitetet e të ndjerës, e cila pretendohet që ka hequr dorë nga prona dhe natyrisht që merr për bazë dhe një prokurë e cila nuk ekziston fare.

Anila Hoxha: Pse duhet të besojmë këtë version dhe nuk duhet të besojmë tjetër gjë, sikurse ka ndodhur në dhjetëra raste kur shumë gra kanë hequr dorë nga e drejta e trashëgimisë dhe ky mund të jetë pikërisht ai rast. Kur një grua, e ndjera në këtë rast, ka vendosur të heq dorë nga e drejta e trashëgimisë?

Alban Duraj: Rastet ekzistojnë. Por, fakti që nuk kemi një dokument të saktë nga ana ligjore, e para. E dyta, nëse kjo do ishte bërë nga ana e të ndjerës, atëherë do e kishte njoftuar palën që unë përfaqësoj se ajo jetonte me atë. Dua të theksoj, faktin që të dhënat e personit apo të së ndjerës e cila presupozohet që ka hequr dorë nga prona nuk janë të dhënat e saj. Kemi emrin e saj, por nuk e kemi mbiemrin e saj. Të dhënat e datëlindjes i kemi të gabuara. Kemi shumë elementë të cilët e bëjnë të pavlefshëm këtë akt. Është përpiluar nga noteri , natyrisht që noteri ka përgjegjësi për aktet të cilat ai i përpilon. Nuk mund të përpiloj një akt pa të dhënat e personit i cili e lëshon këtë akt me gabime të tilla.

Anila Hoxha: Avokat, çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët në momentin që çelet një dëshmi trashëgimie nga njëra anë dhe e dyta kur ata janë personat që lënë një testament? Sepse po shikojmë në gjykatë prej disa vitesh, trashëgimtarë që kundërshtojnë dëshmitë e trashëgimisë.

Alban Duraj: Problemi kryesor është tek  noterët. Ata janë garant i të gjithë veprimeve proceduriale, noteriale si përsa i përket hartimit të një testamenti dhe nga ana tjetër me ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Civile, ata kanë të drejtë që të bëjnë edhe çeljen e dëshmisë së trashëgimisë.

Anila Hoxha: Pse kundërshtohet ky dokument në gjykatë?

Alban Duraj: Ky dokument kundërshtohet për shumë arsye. Pra, ne kemi parë për shumë raste kur noterët që mendoj se është gabim kryekëput i noterëve sepse ata janë garant i respektimit të ligjit. Pra, nëse do vijmë tek një testament, noteri duhet të garantohet njëherë përsa i përket aftësisë mendore apo psiqike të personit, i cili lëshon këtë testament.

Anila Hoxha: Noterët nuk e bëjnë sic duhet detyrën, duke firmosur dokumente, të cilët nuk përfaqësojnë vullnetin e dikujt i cili nuk është në gjendje për të përpiluar një dokument?

Alban Duraj: Ne kemi raste kur edhe firmën se ka lënë ai testatori, pra mund ta ketë bërë një nga fëmijët, ka lëshuar firmën. Pra, kemi raste gjyqësore të tilla. Kemi raste kur ai mund të  ketë qenë i paaftë nga ana mendore apo nga ana psikologjike por thjesht noteri nuk e ka marrë atë raportin që e detyron ligji lidhur me anën psiqike. Natyrisht, përvec raportit është edhe kuptimi praktik që duhet të bëj noteri. Në momentin që i  merr firmën duhet t’a pyesi, duhet të diskutojë me testatorin, pra ka shumë forma për të cilat noterin e detyron ligji por që nuk e bën. Kemi raste të tilla me qindra në gjykatë kur janë hedhur poshtë apo janë shpallur të pavlefshme nga ana e gjykatës.

Anila Hoxha: Cili është rasti  më i rëndë që ju keni në mbrojtje, aktualisht?

Alban Duraj: Rasti më i rëndë është lidhur me një kontratë dhurimi në formën e testamentit, e cila është lëshuar nga një person, i cili është i paaftë nga ana mendore dhe ia ka dhuruar vëllait të vet. Dhe ne aktualisht jemi në gjykatën e apelit për të cilën presim të zhvillohet seanca gjyqësore.

Anila Hoxha: Pse dyshoni që nuk e vërtetë kjo kontratë? Vëllai për vëllain.

Alban Duraj: Nuk e ka zotësinë juridike për të vepruar. Pra, ne e kemi të provuar.

Anila Hoxha: Kush e kundërshton këtë gjë?

Alban Duraj: E kundërshton djali.

Anila Hoxha: Sa i takon çeljes së trashëgimisë. Natyrisht që me aktet ligjore në fuqi  që nga 2013 e në vazhdim, kjo çështje zgjidhet para noterit. Cila është pika më e dobët e kësaj hallke në këndvështrimin tuaj?

Alban Duraj: Edhe këtu noterët shpeshherë gabojnë për shkaqe të përfitimit, qoftë të përfitimit ekonomik apo përfitimit që mund të kenë me palët.

Anila Hoxha: Faleminderit.