Qindra mijëra argjentinas kanë dalë në rrugë për të shprehur zemërimin ndaj shkurtimeve të financave për arsimin publik nga qeveria e presidentit të ri Javier Milei.
Nxënës e prindër të shoqëruar nga mësuesit e profesorët e 57 universiteteve shtetërore të vendit dolën dje në protestën “Në mbrojtje të arsimit publik falas”, thanë organizatorët.
Sindikata të punës dhe disa parti opozitare mbështetën protestën në kryeqytetin Buenos Aires dhe qendra të tjera të mëdha si Cordoba, në një prej demonstratave më të mëdha deri tani kundër qeverise së re, që prej njoftimit për kursime drastike në financat publike që po shtrëngojnë akoma më shumë gjendjen mes inflacionit në Argjentinë.
Policia tha se në kryeqytet kishin dalë në rrugë rreth 100,000 njerëz por organizatorët dhe disa media thonin se protestuesit ishin më shumë se 500 000, teksa qendra e qytetit ishte paralizuar nga populli për disa orë.
Studenti mjekësisë Pablo Vicenti, 22 vjeç, tha për rrjetin Agence French-Presse në Buenos Aires se ishte i revoltuar nga “sulmi brutal” i qeverisë ndaj sistemit universitar.
“Ata duan të falimentojnë arsimin me pretekstin se nuk ka para. Por në fakt thjesht nuk duan të shpenzojnë në arsimin publik”, tha Vicenti.
Milei fitoi papritur zgjedhjet në nëntor dhe menjëherë nisi të zotohej për shkurtime të shpenzimeve publike për të “zeruar deficitin”.
Por shkurtimet e tij në shpenzimet e transportit, bujqësisë, strehimit energjisë e tani arsimit, kanë revoltuar pjesë të gjera të popullatës që ka protestuar rregullisht ndaj masave.