Tymi nga qindra zjarre në veri të kufirit me Kanadanë vazhdon të krijojë kushte të rrezikshme të cilësisë së ajrit. Miliona njerëz në qytetin e Nju Jorkut dhe në verilindje u përballën me ajër plot me tym gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes të martën dhe po vazhdojnë me të njëjtin intensitet edhe të mërkurën. Ndërsa autoritetet e të dy vendeve thonë se kjo ndotje ajri do të vazhdojë deri të dielën.
Teksa tymi i zjarrit nga Kanadaja përfshiu jugun e saj në kufi me veriun e SHBA, horizonti i një mbulese të dendur tymi erdhi deri në qyetin e Nju Jorkut i cili është afro 1000 kilometra larg nga zjarret. Më shumë se 55 milionë njerëz në të gjithë verilindjen, dhe veri perëndimin në bregun e Atlantikut në SHBA janë nën alarmin e cilësisë së ajrit pasi tymi i zjarrit me origjinë nga Kanadaja mbulon qytetet kryesore të SHBA.
Nju Jork u zgjua sot në tym të dendur, sa që mezi ishte i dukshëm për pjesën më të madhe të ditës e gjithë hapsira ajrore dhe era e tymit ishte e fortë, ndërsa autoritetet po bëjnë thirrje për të evituar lëvizjet e shpeshta në natyrë edhe për dy ditë. Sipas tyre tymi nga zjarret kanadeze mund të ndikojë në shëndetin e miliona njerëzve në SHBA, që kanë probleme me mushkritë.
Të nxitur nga nxehtësia rekord dhe kushtet e thata, zjarret që po djegin malet me pyje për rreth në Quebec, tashmë po prekin miliona njerëz deri në Karolinën e Veriut, thonë autoritetet amerikane. Për këtë janë ngritur në nivelin “portokalli” edhe alarmet për cilësinë e ajrit pasi mjegulla e dendur e tymit po vështirësonte frymëmarrjen e njerëzve të sëmurë me zemër dhe probleme në mushkëri.
Të martën u tha se NYC kishte cilësinë më të keqe të ajrit në botë dhe të mërkurën në mëngjes qyteti ishte i dyti më i keqi në botë pas Delhi, Indi. Zyrtarët shëndetësorë po u bëjnë thirrje banorëve të zonës që të kufizojnë aktivitetet në natyrë të mërkurën pasi cilësia e ajrit pritet të mbetet në nivele “të pashëndetshme” deri në “shumë të pashëndetshme” pa përmirësime deri të enjten. Komisioneri i Menaxhimit të Emergjencave Zach Iscol u shpreh:
Kjo do të lërë në fuqi këshillimin për cilësinë e ajrit të qytetit për ditët e ardhshme. Ne presim që kjo të jetë një ngjarje shumëditore. Nuk është diçka normale.
Në këtë pikë, shkollat e qytetit të Nju Jorkut mbeten të hapura, por studentët nuk do të bëjnë asnjë aktivitet në natyrë gjatë ditës së tyre të shkollës. Kryebashkiaku Eric Adams e quajti alarmin për cilësinë e ajrit një “ngjarje të paprecedentë në qytet dhe njujorkezët duhet të marrin masa paraprake”.