Lajmet e fundit

“Qeveria po mbledh më pak të ardhura nga rritja ekonomike, çfarë tregojnë shifrat”!

Ekonomia e vendit po ecën me ritme mbi parashikimet vitet e fundit, por grumbullimi i tatimeve dhe taksave mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto po vjen në rënie.

Të dhënat e fundit të INSTAT në lidhje me rezultatet e reja të Prodhimit të Brendshëm Bruto tregojnë se nga viti 2018 deri në vitin 2023, taksat dhe tatimet e mbledhura mbi PBB-në kanë pësuar rënie (taksat mbi produktet janë taksat e pagueshme për njësi të disa mallrave dhe shërbimeve si: Taksa mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), akciza dhe taksa doganore mbi importe. shiko grafikun bashkëngjitur. Në këto taksa nuk përfshihen tatimet mbi pagën dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore).

Në vitin 2018, PBB-ja në vlerë arriti në 1,6 trilionë lekë, ndërsa taksat ndaj këtij prodhimi ishin 253 milionë lekë, ose 15.7% e tij.

Në vitin 2023, PBB-ja arriti mbi 2,3 trilionë lekë, teksa taksat ndaj tij arritën në 337 miliardë lekë  ose 14.22% e prodhimit. Përqindja e taksave të mbledhura ndaj prodhimit në vitin 2023 pësoi ulje me 1 pikë për qind në krahasim me vitin 2018.

Gjatë 2018-2023, viti më i mirë ishte 2021, ku taksua 16.03% e vlerës së prodhimit, ndërsa viti më i dobët ishte 2020 kur u taksua vetëm 13.4% e PBB-së.

Raporti i taksave ndaj PBB-së është një matës i të ardhurave tatimore të një vendi në lidhje me madhësinë e ekonomisë së tij, e matur nga Produkti i Brendshëm Bruto (GDP). Ky raport mundëson efikasitetin e drejtimit të përgjithshëm të politikës tatimore të një vendi.

Vendet e zhvilluara zakonisht kanë raporte më të larta të taksave ndaj PBB-së sesa vendet në zhvillim. Të ardhurat më të larta nga taksat nënkuptojnë se një vend mund të shpenzojë më shumë për përmirësimin e infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit, të cilat të gjitha janë çelësi për perspektivat afatgjata për ekonominë e një vendi dhe njerëzit e tij.

Të ardhurat nga taksat mbi 15% të PBB-së të një vendi janë një përbërës kyç për rritjen ekonomike dhe reduktimin e varfërisë, sipas Bankës Botërore.

Raporti i taksave ndaj PBB-së në Shtetet e Bashkuara ishte 27.7% në 2022, ndërsa raporti i taksave ndaj PBB-së së Bashkimit Evropian ishte 26.7% në 2022.

Raporti i taksave ndaj PBB-së mat të ardhurat tatimore të një vendi ndaj produktit të brendshëm bruto. Ai tregon se sa nga produkti i brendshëm bruto i një vendi shkon në financimin e qeverisë. /Monitor/