Qeveria e Kosovës njoftoi të hënën se e ka miratuar Projektligjin e njëjtë për ratifikimin e një Traktati, që kishte arritur me Danimarkën për strehimin në burgjet kosovare të të burgosurve nga Danimarka, disa ditë pas dështimit të Kuvendit për ta ratifikuar atë.
“Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”, tha Qeveria në një komunikatë për media.
Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ky është Projektligji i njëjtë të cilin Kuvendi dështoi ta miratojë të enjten.
“Po, ne kemi negociuar me danezët dhe jemi pajtuar që të shkojë i njëjti draft në Qeveri dhe në Kuvend”, tha Sallahu.
Pas dështimit në Kuvend, Projektligji duhej të kthehej në Qeveri për t’u nisur nga pika zero, sipas rregullores.
Kosova dhe Danimarka e nënshkruan letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat, sipas së cilit ishte paraparë që transferimi i të burgosurve të bëhej në fillim të vitit 2023.
Por, Kuvendi dështoi ta kalojë Traktatin të enjten, pasi ai mori vetëm 75 nga 80 votat e nevojshme të deputetëve.
Qeveria duhet ta dërgojë në Kuvend këtë projektligj tani në një tentimin e dytë për ratifikim, megjithëse nuk ka pasur mbështetje për të nga një pjesë e opozitës.
Me ligjin në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve.