Aktualitet

Qershori mbyllet me mot relativisht të paqëndrueshëm!

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se javën e fundit të qershorit vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Falë tërheqjes graduale të Anticiklonit Afrikan e qarkullimit të një qendre me presion atmosferik të ulët, si dhe masave ajrore më të freskëta e relativisht të lagështa me origjinë perëndimore.

Për pjesën më të madhe të ditëve, moti përgjatë Ultësirës Perëndimore e në bregdet pritet të jetë kryesisht i kthjellët, si dhe me vranësira kalimtare mesatare e hera-herës deri të dendura në orët e nxehta të ditës, pra kryesisht në orët e drekës deri ato të pasdites. Në këto zona, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të dobëta e lokalisht shtrëngata afatshkurtra.

Në relievet malore në lindje, reshjet priten lokalisht me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave, shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike.

Era do të fryjë me drejtim kryesor nga veriperëndimi e me shpejtësi 2-8 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe ato luginore, era fiton shpejtësi 10-12 m/sek duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 1-3 ballë.

Pritet prezencë e grimcave të rërës së Afrikës së Veriut në ajër.