Aktualitet Politikë

“Fushata denigruese e pamerituar”, Meloni: Shpresoj që kjo marrëveshje të jetë shembull për BE

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i ka dalë në krah homologut të saj Edi Rama, duke thënë se ndaj qeverisë shqiptare nisi një fushatë denigruese.

“Jam e lumtur që jam këtu, që pata rastin t’ju takoj juve që Rama pati mundësinë të verifikonte nga afër edhe situatën e punimeve që janë duke u zhvilluar në kuadër të marrëveshjes. Doja të thoja që ashtu siç ne pamë dhe dëgjuam nga fjalët e Ramës se vendet tona janë dy vende mike. Falënderoj Ramën dhe popullin shqiptar për mundësinë që na dhanë, për ndihmën që na dhanë për të realizuar këtë marrëveshje, që shpresoj të jetë shembull për vendet e tjera të BE.

Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të përsëris afërsinë e qeverisë italiane dhe popullit italian për sulmet që Ramës dhe qeverisë së tij i janë bërë. Qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë më shumë sesa  ka ndihmuar qeverinë italiane. Ne kemi ndjekur një fushatë denigruese ndaj qeverisë shqiptare. Kemi dëgjuar etiketime sikur qeveria shqiptare është një narkoshtet. Nuk është hera e parë që Shqipëria ofron bashkëpunim. Edhe më parë historia e Shqipërisë ka treguar se ajo ka pasur dëshirën për të qenë pjesë e BE dhe për të gjetur ato mundësi bashkëpunimi”, tha kryeministrja italiane.

Delegacioni i kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe delegacioni i kryeministrit shqiptar Edi Rama ndodhen në Shëngjin ku po inspektojnë qendrën e pritjes së emigrantëve financuar me paratë e qeverisë italiane.

Meloni shoqërohet edhe nga ambasadori italian, Fabrizio Bucci.

Kryeministrja e Italisë mbërriti në aeroportin Nënë Tereza  (ora 11:24) dhe nga aty u nis me helikopter drejt Gjadrit, ndërkohë kryeministri Edi Rama mbërriti me makinë.