Aktualitet

Qendrat për pritjen e emigrantëve, Rama: Kjo është marrëveshje vëllazërie me Italinë!

Ndërsa u ra dakord që Italia të ngrejë në Shqipëri dy qendra për pritjen e emigrantëve, në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della sera”, kryeministri Rama deklaroi:

Duhet t’i shlyejmë borxhin Italisë. Të gjitha shpenzimet do të përballohen nga Italia, Shqipëria nuk do të ketë asgjë në këmbim. Emigracioni? Një fenomen kompleks dhe kërkon një qasje të re.

Ne kemi nënshkruar një marrëveshje të detajuar me qeverinë italiane, e cila vendos shumë aspekte dhe ndan përgjegjësitë mes Italisë e Shqipërisë. Mbi të gjitha ajo ka si far të gjitha rregulloret ndërkombëtare me standardet dhe kërkesat më të larta në pritjen e emigrantëve.

A mund të shpjegoni në detaje për çfarë keni rënë dakord?

Memorandumi i mirëkuptimit parashikon që në portin e Shëngjinit, në veri të Shqipërisë, autoritetet italiane do të kryejnë identifikimin e azilkërkuesve. Më pas këta do të transferohen në qendrën e pritjes në Gjadër për të pritur rezultatin e aplikimit të tyre.

Kush do të paguajë për të gjitha këto?

Shpenzimet do të përballohen nga Italia.

Dhe çfarë do të merrni në këmbim?

Asgjë. Jo vetëm se nuk kërkuam asnjë quid pro quo (latinisht – favor apo avantazh i dhënë në këmbim të diçkaje – shën. i përkth.), aq më pak ekonomike, por nuk duam asgjë. Kjo nuk është një marrëveshje tregtare, por një marrëveshje vëllazërie dhe afërsie.

Unë imagjinoj se në këmbim, megjithatë, ju prisni presion më të madh nga Roma mbi Brukselin për të përshpejtuar hyrjen tuaj në Bashkimin Europian.

Aspak. Të dyja gjërat nuk kanë lidhje dhe sigurisht që nuk e kemi menduar nga ky këndvështrim.

Kur keni filluar të punoni për këtë marrëveshje me Romën?

Le të themi se kishte qenë në gatishmëri për disa kohë.

Disa thonë verën e kaluar, kur kryeministrja italiane erdhi për t’ju vizituar në jug të Shqipërisë.

Aty hodhëm themelet e protokollit të nënshkruar tani.

Por, si lindi kjo nismë?

Duke folur për këtë me kryeministren Meloni, doli se Italia mund të ketë nevojë për mbështetje logjistike për t’u marrë më mirë me zbarkimet. Ne u vumë në dispozicion.

A është e vërtetë që edhe vende të tjera të BE-së ju kanë kërkuar ndihmë për këtë?

Po, por ne u thamë jo të gjithëve.

Mund të pyes se cilat vende?

Në respekt për ta dhe për konfidencialitetin e bisedave do të preferoja të mos e them.

Dhe pse i thatë po në vend, Italisë?

Sepse jemi në borxhe dhe sa herë që mundemi mundohemi ta shlyejmë. Të mos harrojmë se çfarë bënë italianët për ne në pritjen e viteve ’90 dhe gjithashtu në krizat e mëpasshme që prekën Shqipërinë.

Dikush nga opozita italiane foli për “Guantanamon” kur komentoi marrëveshjen me ju.

Dua të theksoj se kjo është një çështje e brendshme. Thjesht do të them se më duket një koment jobujar ndaj atyre që në Guantanamon e vërtetë ishin aty dhe vuajtën. Kushdo që vjen në Shqipëri për një periudhë të kufizuar kohe do ta bëjë këtë duke jetuar në kushtet më të mira.

Disa ankesa erdhën edhe nga opozita juaj.

Në fakt, memorandumi i mirëkuptimit do të sillet në Parlament për miratim.

A ka një afat kohor për këtë marrëveshje?

Do ta shohim pak nga pak. I vetmi kufizim është ai numerik: ne mund të mirëpresim maksimumi 3 000 emigrantë.

Kur do të hapet qendra e pritjes?

Mendoj në pranverën e vitit 2024. Por, italianët do ta vendosin këtë sepse do të jenë në krye të zbatimit dhe menaxhimit.

A nuk ka rrezik për disa probleme në Shqipëri?

Jo! Mbaj mend që ne kemi mirëpritur tashmë mbi 4 000 afganë që ikin nga egërsia e talebanëve. Tani, në fund të procesit burokratik, ata e gjejnë veten në SHBA ose Kanada. Ky është një operacion i realizueshëm dhe ne kemi treguar se jemi të aftë.

Ju e dini fenomenin e emigrimit. BE-ja duket se është në ngërç. Çfarë sugjeroni?

Unë nuk jam në gjendje t’i them Brukselit se çfarë të bëjë dhe çfarë të mos bëjë. Ne vëzhgojmë dhe mund të marrim një ide. Por, është një gjë të ndihmosh nga jashtë, është tjetër të të duhet të menaxhosh urgjencën. BE është në një pozicion objektivisht të komplikuar për emigracionin.

Në çfarë kuptimi?

Me kalimin e kohës, disa vende europiane kanë pasur një qëndrim të paqartë për pritjen, duke u thënë “jo” atyre që vijnë nga Afrika dhe duke hapur krahët për ata që vijnë nga Ukraina. Ndërsa shtetet e tjera, po mendoj për Suedinë, kanë pritur pa dallim, por sot ata e gjejnë veten gjithashtu të detyruar të menaxhojnë pasojat negative si krimi. Eshtë një temë padyshim komplekse. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për një qasje të re nga i gjithë Bashkimi Europian.