Aktualitet

“Qëllova për nipin…”, dëshmia e autorit të plagosjeve në Malësinë e Madhe!

Pas arrestimit lidhur me plagosjen e dy personave në Vrakë të Malësisë së Madhe, shtetasi Lul Rakaj, për kapjen e të cilit u mobilizua edhe RENEA krahas bluve të Shkodrës, tha se qëlloi si hakmarrje për nipin 13-vjeç duke pretenduar se ia kishin rrahur dy të plagosurit e se dyshonte që njëri prej tyre kishte armë me vete.

Pak ditë më parë, dy personat që kam plagosur kanë goditur nipin tim duke e rrahur. Ai është vetëm 13 vjeç. Di që më kanë goditur nipin, i cili më tregoi për ngjarjen e ndodhur.

Unë shkova për të folur me ta dhe aty nisi debati. Dyshova se njëri prej tyre kishte armë zjarri ndaj duke menduar se mund të më vrisnin, qëllova ndaj tyre.

Ngjarja ndodhi dje në mëngjes teksa Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj po hynin në një lokal në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe rreth orës 09:45. Pranë tyre u afrua Lul Rakaj e fillimisht mes të treve pati debat. Disa çaste më vonë, Rakaj nxori armën dhe i qëlloi, duke i lënë të plagosur.

Pas të shtënave, ai u largua me shpejtësi bashkë me armën e krimit, duke tentuar për disa orë t’i fshihej policisë. Pas 3 orësh kërkime, RENEA e konstatoi në afërsi të zonës së njohur si ballkoni i Tamarës, e rrethoi dhe i bëri thirrje të dorëzohej.

Lul Rakaj iu përgjigj thirrjes për dorëzim, por disa herë tentoi të dilte nga rrethimi. Ai është personazh i njohur për drejtësinë. 13 vjet më parë, në Hot të Malësisë së Madhe ekzekutoi për hakmarrje shtetasin Kolë Mushku, pasi më herët i kishte vrarë të atin.