Vladimir Putin ka thyer heshtjen e tij për fitoren zgjedhore të Donald Trump dhe është shprehur se ai është gati të flasë me të.
Një ditë pas fitores së Trump, ai uroi presidentin e zgjedhur dhe tha se ishte i impresionuar nga sjellja e tij pasi i mbijetoi një atentati në një tubim në korrik.
Ai e përshkroi Trumpin si një “burrë të guximshëm” dhe se çdo ide për lehtësimin e përfundimit të krizës në Ukrainë meriton vëmendje.
Putin uroi Trumpin pas një fjalimi që mbajti gjatë një konference ndërkombëtare në Soçi në Detin e Zi.
“Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi që ta uroj atë për zgjedhjen si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Putin.
I pyetur nëse është i hapur për të mbajtur bisedime me Trumpin, udhëheqësi rus tha: “Jam gati”.
Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Trump kishte deklaruar se nëse zgjidhej president, ai do t’i jepte fund shumë shpejt luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022.
Ai po ashtu ka kritikuar ndihmën miliardëshe që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, ndërkaq pas fitores në zgjedhje është zotuar sërish se do të ndalë luftërat në mbarë botën.
Kujtojmë se Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Ai i fitoi më shumë se 270 votat e domosdoshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur fitues i zgjedhjeve.
Në procesin zgjedhor të 5 nëntorit, ai garoi kundër nënpresidentes së tanishme, demokrates Kamala Harris.
Harris e pranoi disfatën, duke thënë se “ne duhet ta pranojmë patjetër rezultatin e këtyre zgjedhjeve”
Përveç pozitës së presidentit, republikanët e kanë fituar edhe kontrollin e Senatit, njërës prej dhomave të Kongresit. Mbetet të shihet kush do ta ketë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Gara është e ngushtë.