Bota

Putin paralajmëron Amerikën me doktrinë të re bërthamore!

Presidenti Putin sot miratoi një doktrinë të përditësuar që thekson se “Rusia mund të shqyrtojë përdorimin e armëve bërthamore, nëse sulmohet me raketa konvencionale, me mbështetjen e një fuqie atomike”. Vendimi është përgjigje e Kremlinit ndaj atij të administratës Biden, për ta lejuar Ukrainën të hedhë raketa amerikane me rreze të gjatë, në thellësi të territorit rus.

Doktrina e përditësuar shpalos kërcënimet që mund ta shtyjnë lidershipin e Rusisë ta mendojë sulmin bërthamor. Aty theksohet se një sulm me avionë luftarakë, dronë apo raketa konvencionale mund të konsiderohet si kërcënim i tillë. Sipas kësaj doktrine, çdo agresion kundër Rusisë, nga një shtet i cili është anëtar i një koalicioni, nga Moska do të konsiderohet “agresion nga i gjithë koalicioni”.

Pak javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA, Putin urdhëroi ndryshimin e doktrinës bërthamore për të theksuar se çdo sulm konvencional ndaj Rusisë i ndihmuar nga një fuqi bërthamore mund të konsiderohet sulm i përbashkët kundër Rusisë.

Lufta në Ukrainë, që nisi në shkurt 2022, ka nxitur përplasjen më të madhe mes Rusisë dhe Perëndimit prej krizës raketore të Kubës, në vitin 1962. Tetë persona, mes tyre edhe një fëmijë, mbetën të vrarë si pasojë e një sulmi me dronë që Rusia kreu gjatë natës në rajonin verilindor të Ukrainës, Sumi. Reagoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Çdo sulm i ri rus, vetëm e konfirmon qëllimin e vërtetë të [presidentit rus Vladimir] Putin. Ai do që lufta të vazhdojë sepse nuk është i interesuar për paqe.

Po ashtu, 12 vetë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën nga sulmi ndaj një objekti të banuar në qytezën Hluhiv, në kufi me Rusinë, siç raportoi administrata ushtarake e rajonit të Sumit. Një video e shpërndarë nga Zelensky, shfaq ekipet emergjente duke kërkuar për të mbijetuar në gërmadhat e ndërtesës së shkatërruar pjesërisht.

Administrata ushtarake deklaroi se forcat ruse përdorën dy dronë në këtë sulm.

Forca Ajrore e Ukrainës theksoi se rrëzoi 51 dronë dhe se humbi gjurmët e 30 të tjerëve pasi Rusia sulmoi. Forcat ruse e kanë goditur pareshtur rajonin verilindor të Sumit në muajt e fundit, duke dëmtuar infrastrukturën e tij të rëndësishme civile. Një sulm raketor në Sumi të dielën e kaluar, vrau 11 njerëz e plagosi 89 të tjerë, si dhe shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike.

Dy muaj nga përfundimi i mandatit të presidentit Joe Biden, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrisin mbështetjen financiare, ushtarake, si dhe diplomatike ndaj përpjekjeve të Kievit zyrtar për t’u mbrojtur kundër agresionit rus. Në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Rio de Zhaneiro të Brazilit, u raportua se zyrtarët e Uashingtonit po bëjnë presion për një gjuhë “sa më të fortë të mundshme” në mbështetje të Ukrainës.