Bota

Putin ka tumor, provat e Inteligjencës amerikane!

“Në muajin prill, presidenti rus, Vladimir Putin iu nënshtrua trajtimit mjekësor për një tumor në fazë të avancuar”. Kështu shkruan e përjavshmja “Newsweek” referuar një informacioni të rezervuar të Inteligjencës amerikane. Të dhënat e fundit përforcojnë zërat e vazhdueshëm mbi problemet shëndetësore të shefit të Kremlinit, por që janë hedhur poshtë nga kryediplomati rus, Sergei Lavrov.

Lajmet për gjendjen jo të mirë shëndetësore të Putinit qarkullojnë prej kohësh, aq sa 007-at analizojnë çdo dalje të rrallë publike të presidentit, pas izolimit të gjatë në kohën e pandemisë koronavirus.  Nuk ka dyshime se pamja e Putinit nuk është ajo e kohëve më parë kur shëtiste me kuaj e me kraharorin e zbuluar apo luante hockey, duke imponuar përballë liderëve amerikanë imazhin e një burri të fortë e sportiv, falë regjisë së propagandës mediatike.

Tani është koha kur i kapur pas një tryeze, lideri rus pret udhëheqësit e paktë që e vizitojnë, për t’i kërkuar t’i japë fund luftës në Ukrainë. Nuk ka shtrëngim duarsh apo përqafime, shenjë e paranoiave apo shqetësimeve fizike. Të paktën kështu i interpretojnë mediat amerikane.
Vladimir Putin nuk u duk se gëzonte shëndet të mirë, as kur takoi ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu në një tryezë të vogël. Ra në sy fakti se dorën e djathtë e mbante të shtrënguar.

Disa vëzhgues thonë se mund të ketë Parkinson, të tjerë pretendojnë se është pasojë e kohës kur stërvitej nga KGB-ja dhe mësohej që dorën e djathtë ta kishte gjithnjë gati për të nxjerrë nga xhaketa pistoletën në rast nevojë. Por, sipas analizës së shërbimeve sekrete amerikane, Putin është shumë i sëmurë.

Po ashtu, burimet thonë se në mars, presidenti rus i shpëtoi një përpjekjeje për ta vrarë dhe se për këtë arsye, “sa vjen e bëhet paranojak lidhur me pushtetin”.

Kremlini është teatër intrigash të forta që nga koha e ardhjes në pushtet të Putinit.

Por sa të besueshme janë informacionet e Inteligjencës amerikane?

Vetë Newsweek kujton se në të kaluarën, Inteligjenca amerikane ka bërë vlerësime të ngjashme edhe për gjendjen shëndetësore të ish-liderit të Irakut, Saddam Hussein apo të Al Qaeda-s, Osama Bin Laden, por që rezultuan të gabuara, edhe pse ndikuan në proceset vendim-marrëse të Shteteve të Bashkuara.