Bota

Putin: Inkursioni ukrainas në Rusi s’ka ndikuar në synimet e luftës së saj!

Vladimir Putin tha se inkursioni i ushtrisë ukrainase në tokën ruse nuk ka ndikuar në të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” të Moskës, një shprehje që Kremlini e përdor për të përshkruar luftën ndaj Ukrainës. Duke folur në Forumin e Euroazisë Lindore në qytetin Vlladivostok, presidenti pretendoi se duke dërguar trupa në rajonin Kursk të Rusisë, Ukraina ka dobësuar forcat e veta në Donbas, ku rusët përparuan ditët e fundit.

Synimi i armikut ishte të na zemëronte, të tallej, t’i zhvendoste trupat tona nga njëra anë në tjetrën e ta ndalte ofensivën tonë në drejtime kyçe, para së gjithash në Donbas. A ia doli armiku? Jo, nuk arriti asgjë!

Putini pretendoi se forcat ruse “e stabilizuan gjendjen dhe filluan ta zmbrapsin dalëngadalë armikun nga territoret përgjatë kufirit”, ku forcat ukrainase hynë në territorin rus në fillim të gushtit. Ky veprim e la Ukrainën pa mjete për “ta ndalur ofensivën ruse” në lindje të Ukrainës.

Kievi pretendon se ka marrë nën kontroll më shumë se 1.200 kilometra katrorë tokë ruse falë inkursionit befasues muajin e kaluar. Kjo është hera e parë prej Luftës së Dytë Botërore që ndodh një inkursion në tokën ruse.

Ndërkohë, forcat ruse kanë shënuar përparime të mëdha në përpjekjet e tyre për të kapur qytetin strategjik të rajonit lindor të Ukrainës, Pokrovsk. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një intervistë për televizionin amerikan NBC se Ukraina nuk ka nevojë për tokë ruse.

Operacioni ynë ka për qëllim rikthimin e integritetit tonë territorial. Ne kapim trupa ruse për t’i zëvendësuar me ukrainase. Ne u themi atyre, e dini, ne duam kthimin e ushtarëve tanë në këmbim të ushtarëve rusë. E njëjta gjë vlen edhe për territoret. Ne nuk kemi nevojë për tokën e tyre.

Në të kaluarën, Putini e ka quajtur “provokim” inkursionin ukrainas dhe ka thënë se nuk i ka lënë Rusisë arsye për të biseduar me Kievin.

Çfarë ka mbetur për të biseduar me ata tani?

Por, sot u tërhoq nga ky qëndrim duke thënë se “ne kurrë nuk kemi refuzuar të bisedojmë”. Megjithatë, Putin tha se në bisedimet për paqen, patjetër duhet të merren parasysh kushtet e Rusisë, se pjesë të pushtuara të Ukrainës nga trupat ruse duhet të mbeten nën kontrollin e Moskës.