Bota

Putin: Hakmarrje ndaj atyre që tentojnë të përçajnë Rusinë!

Presidenti rus, Vladimir Putin vuri në dukje se do të hakmerret ndaj kujtdo që tenton të përçajë shoqërinë ruse, teksa vlerësoi lart efikasitetin dhe besnikërinë e agjencive të zbatimit të ligjit të shtetit të tij, Rusisë. Siç dihet, shefi i Kremlinit akuzohet gjerësisht se ka përshkallëzuar shtypjen e shoqërisë civile, mediave të pavarura dhe opozitës, teksa po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në Ukrainë. Kundërshtarët dhe kritikët e Kremlinit ndiqen penalisht e dënohen me burgime të gjata.

Ata që përpiqen të frikësojnë njerëzit, të përçajnë shoqërinë tonë, të luajnë me ndjenjat fetare apo kombëtare, nuk do të kenë kurrë sukses, u shpreh Putin përmes një video-mesazhi të publikuar nga Kremlini më herët gjatë ditës. Ata i pret një hakmarrje e pashmangshme, shtoi ai.

Rusia rregullisht përdor shprehje të tilla si “spiunë perëndimorë” dhe “kukulla të Perëndimit”, për të përshkruar ata që kundërshtojnë Kremlinin, përfshirë kritikët në vend e që i sheh të lidhur e të mbështetur nga figura perëndimore.

Kremlini publikoi këtë video të presidentit Putin për të shënuar “Ditën e hetuesve” dhe lideri rus nderoi agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit, përfshirë Komitetin Hetues dhe shërbimin e sigurisë, FSB, që është pasardhës i KGB-së të kohës sovjetike.

Hetuesit tregojnë besnikëri pa kushte për Atdheun dhe popullin tonë, u shpreh Vladimir Putin.

Kritikët e Kremlinit thonë se fokusi i Rusisë në hetimin dhe ndjekjen penale të kundërshtarëve politikë brenda vendit e bën shtetin të pambrojtur nga kërcënimet reale të sigurisë. Pothuajse të gjithë kundërshtarët kryesorë të liderit rus janë në burg apo janë larguar në emigracion nisur nga presioni i lartë.

Për të shtypur kritikat, Rusia aplikon dënime të ashpra për ata që kritikojnë veprimet ushtarake në Ukrainë. Kjo në kohën kur vazhdimisht Putin ka pretenduar se shoqëria ruse është e bashkuar sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, të nisur në shkurt të vitit 2022 e që vijon prej mbi dy vitesh.