Shtetasi Flori Tahiraj u arrestua nga Policia e Vlorës pasi me helikën e një gomoneje, dje goditi një 60-vjeçar në Karaburun. 42-vjeçari banues në Vlorë, u arrestua për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. I lënduari mori dëmtime në këmbë dhe u dërgua me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Për fat të mirë, ai gjendet jashtë rrezikut për jetën. Mjeti lundrues gomone u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi zyrtar:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në vendin e quajtur “Shën Jani”, Karaburun, u godit nga helika e një mjeti lundrues gomone, në det dhe mbeti i dëmtuar në këmbë shtetasi A. K., 60 vjeç, banues në Tiranë, ju bëjmë me dije se në përfundim të veprimeve proceduriale, nga strukturat e hetimit në DVP Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit F. T., 42 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
60-vjeçari aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Mjeti lundrues gomone u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.