Aktualitet Politikë

Pushimet mbaruan, deputetët i kthehen jetës parlamentare!

E para seancë e këtij sesioni parlamentar, çelet sot në orën 17:00 me fjalimin e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Pritet seancë e shkurtër, por që do të reflektojë qëndrimet e palëve për disa nga temat kryesore të debatit politik muajt e ardhshëm. Po ashtu, pritet të marrin fjalën Niko Peleshi, Gazment Bardhi, Mesila Doda dhe Agron Duka, si kryetarë të Grupeve Parlamentare.

Në rendin e ditës së seancës plenare është parashikuar, miratimi i procesverbaleve të seancës plenare të datës 25, 26 dhe 30 korrik 2024. Pjesë e rendit të ditës do të jetë dhe njoftimi për çështjet e depozituara në Kuvend. Sipas njoftimit, punimet do të vijojnë me fjalët e kryetarëve të grupeve parlamentare.

Pas seancës së sotme, e radhës në Kuvend është e 12 shtatorit ku priten dy vendime të rëndësishme sa i përket mandateve të deputetëve socialistë Olta Xhaçka e Vullnet Sinaj. Për mandatin e Sinajt, mocioni do të shqyrtohet nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në një mbledhje të thirrur pas dy ditësh. Sa i përket punimeve të komisioneve parlamentare, në javën e parë të shtatorit, deri tani është caktuar vetëm mbledhja e atij për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, që pritet nesër.