Celebrities Showbiz

Pushimet e Katy Perry dhe Orlando Bloom do t’ju lënë pa fjalë!

Katy Perry dhe Orlando Bloom janë një nga çiftet më të përfolur të showbiz-it të huaj. Ndarjet e ribashkimet e tyre kanë bërë shpeshherë bujë në mediat rozë. Gjithashtu, kujtojmë se rreth një vit më parë dyshja u bënë prindër të vogëlushes Daisy Dove.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji të nxehtë, ku diskutimet e shumë prej jush me siguri janë rreth pushimeve, edhe familja e Katy Perry ndan momente nga këto të fundit. Ata u panë së bashku me vogëlushen e tyre në një jaht në Itali. Aktori 44-vjeçar dhe këngëtarja 36-vjeçare u panë me 11-muajshen Daisy, duke kaluar një kohë vërtet të mirë në këto ditë të nxehta.

Orlando u shfaq në një formë mjaft të mirë me rroba banjo të kuqe teksa zhytej në ujërat e kristaltë. Më vonë, ai veshi një këmishë me viza, pantallona të shkurtra dhe një kapele për t’u mbrojtur nga dielli, teksa shijonte pamjet piktoreske me vogëlushen e tij.

Katy dukej shumë elegante me një fustan veror me printe leopardi. Ajo kishte kapur flokët e saj bjond duke nxjerrë kështu në pah tiparet e bukura të fytyrës. Më vonë, ajo u vesh e gjitha me të zeza duke theksuar linjat e saj perfekte.

Katy dhe Orlando nisën të dalin në vitin 2016 dhe u ndanë vitin pasues për t’u rikthyer përsëri bashkë në shkurt të 2018-ës. Dyshja u fejua shkurtin pasues dhe u bënë prindër për herë të parë në gusht të vitit 2020.

Së fundmi, këngëtarja është shprehur për aktorin duke treguar se ai jo vetëm sillet tepër mirë me të, por edhe për mënyrën si trajton vajzën e tyre Daisy dhe djalin e tij Flynn, të cilin e ka nga një martesë e mëparshme.

Duket se dyshja ka arritur të gjejë balancat me njëri-tjetrin, duke marrë më të mirën nga e shkuara dhe duke krijuar një familje të shëndetshme së bashku. Me siguri të gjithë fansat e tyre janë në pritje të të tjera postimeve të çiftit nga pushimet e tyre të mrekullueshme në jaht.