Aktualitet

Punonjësit shqiptarë përdorin matematikë elementare në punë!

Punonjësit shqiptarë përdorin përllogaritje matematikore në vendin e punës më pak se në Ballkan dhe në vendet e BE-së, pasi ekonomia jonë është e bazuar në një model ekonomik që nuk kërkon shumë aftësi. “Më shumë se gjysma (54%) e shqiptarëve raportojnë se kryejnë llogaritje të thjeshta me numra, për shembull, duke shtuar, duke zbritur, duke shumëzuar ose duke pjesëtuar, si pjesë e punës së tyre kryesore”. Kështu vuri në dukje Anketa Europiane për Aftësitë dhe Vendet e Punës. Kjo përqindje është më pak se mesatarja e 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB5 60%) dhe BE-së (76%).

Të dhënat e anketës tregojnë se burrat kanë më shumë gjasa se gratë (57% kundrejt 51%) që të kryejnë llogaritje të thjeshta, si dhe punëtorët më të rinj (66% e atyre të moshës 25-34 vjeç kundrejt 33% e personave të moshës 55-64). Të tilla detyra janë gjithashtu më të zakonshme tek njerëzit me arsim të nivelit të lartë (70%), krahasuar me 58% të atyre me arsim të mesëm e 31% me arsim të nivelit të ulët.

Në mënyrë të ngjashme, përqindja e personave që punojnë në profesione të kualifikuara që i përgjigjen kësaj pyetjeje në mënyrë pozitive është shumë më e lartë (74%) se te ata me profesione që lidhen me punë manuale (54%), gjysmë të kualifikuar (47%) dhe elementare (31%).

Rreth 9% e të anketuarve shqiptarë thonë se kanë përdorur matematikë më të avancuar, algjebër ose statistikë, për shembull llogaritje, regresione, simulime, që është më e ulët se në BE (16%) dhe në 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (11%).

Përdorimi i matematikës së avancuar ka më shumë gjasa te punëtorët më të rinj (10% dhe 14% e të anketuarve të moshës 25-34 dhe 35-44) se midis moshave më të mëdha (2% midis atyre të moshës 55-64 vjeç).

Përdorimi i matematikës së avancuar kërkohet gjithashtu më shumë tek ata që punojnë në sektorin publik, arsim apo shëndetësi (12%) dhe shërbime (10%), ndryshe nga ata që punojnë në industri apo bujqësi (6%).

Sipas anketës, shumica e punonjësve kryejnë aktivitete për zgjidhjen e problemeve në punën e tyre kryesore. Afro gjashtë në dhjetë (58%) shqiptarë raportojnë se kryejnë aktivitete të zgjidhjes së problemeve të paktën shpesh si pjesë e punës kryesore, që është mbi mesataren e WB5 (52%). Gratë kanë pak më shumë gjasa ta bëjnë këtë se burrat (61% kundrejt 56%).

Përfshirja në aktivitetet e zgjidhjes së problemeve është gjithashtu më e lartë në mesin e atyre që punojnë në sektorin publik, arsim apo shëndetësi (70%) dhe shërbime (62%), për dallim nga ata që punojnë në bujqësi ose industri (48%)./Monitor