Një 28-vjeçare, e cila punonte si dado për një biznesmen 35-vjeçar në Staten Island në SHBA, është shpërblyer me 4 milionë dollarë pasi punëdhënësi i filmoi disa momente të saj private duke përdorur një kamerë të fshehur. Një gjykatë në Manhattan ka vendosur që Michael Esposito dhe gruaja e tij Danielle do të duhet të paguajnë 780,000 dollarë për abuzim emocional ndaj Kelly Andrade nga Kolumbia, ndërsa Esposito do të duhet të paguajë 3 milionë dollarë të tjerë dëmshpërblim.
Vendimi erdhi pas një padie të ngritur në vitin 2021 nga dadoja pasi ajo zbuloi kamerën e fshehur në dhomën e saj të gjumit në shtëpinë e tyre në Staten Island. Sipas mediave vendase, në atë kohë, dadoja nga Kolumbia kishte denoncuar në polici se Esposito kishte tentuar të hynte në dhomën e saj kur kuptoi se ajo kishte zbuluar kamerën.
28-vjeçarja shpjegoi në deklaratat e saj se familja Esposito i kishte dhënë një dhomë për të qëndruar ndërsa ajo ndihmonte në rritjen e fëmijëve të tyre. Mirëpo, kur e pa 38-vjeçarin që rregullonte shpesh detektorin dyshoi se diçka nuk shkonte. Kështu, tre javë pasi u punësua ajo zbuloi kamerën e fshehtë. Sipas padisë së 28-vjeçares, kamera e fshehtë ka regjistruar qindra momente të saj gjysmë e zhveshur ose krejtësisht e zhveshur.