Aktualitet

Puka mbulohet nga dëbora!

Flokët e para të dëborës në këtë fund vjeshte dhe në prag të stinës së dimrit kanë mbuluar qytetin alpin të Pukës duke ofruar një peizazh mahnitës. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga ky qytet verior i Shqipërisë, që është kthyer vitet e fundit në një atraksion turistik në çdo stinë.

Me uljen e temperaturave dëbora e parë ka nisur të bjerë në qytetet veriore të vendit si dhe në juglindje. Liqeni i qytetit të Pukës është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Puka, në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana, mbetet e preferuara e  adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Kjo qytezë alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj.

Në qarkun e Korçës, reshjet e rëna natën ishin në formë shiu me intensitet deri mesatar dhe në lartësitë mbi 950 m, në formë dëbore. Nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve në rrugë. Trashësia e borës arrin nga 3 në 10 cm në akset Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë e Zemblak-Dogana Goricë.

Në akset e tjera rrugore të Korçës, nga ana e kontraktorëve u monitorua situata dhe u punua për mirëmbajtjen dimërore me pastrime e kriposje. Aktualisht moti është i vrenjtur e me reshje të dobëta. Kontraktorët dhe strukturat janë në gatishmëri, nisur edhe nga parashikimet e sinoptikanëve për orët në vijim.

Vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti vijon me vranësira të pakta deri mesatare kryesisht në pjesën e parë të ditës, më pas pritet i kthjellët e me vranësira fare të pakta. Ka prani të reshjeve të borës me intensitet të ulët, në juglindje. Temperaturat variojnë minus 1-19 gradë celcius.