Aktualitet

Publikohen ndryshimet në Urdhrin e Mjekëve!

Në Fletoren Zyrtare janë publikuar ndryshimet e reja në Urdhrin e Mjekëve, të cilat u miratuan me akt normativ në datën 1 gusht në mbledhjen e qeverisë. Ato synojnë rregullimin e aktivitetit të mjekëve që duan të punojnë njëkohësisht në spitale publike dhe private, por pa cënuar aktivitetin profesional tek të parat. Në Urdhrin e ri të Mjekëve specifikohet:

Një mjek nuk mund të punojnë në spitale apo klinika privat më shumë se 30% të orëve mujore, të mos u kërkojë pacientëve, që i janë paraqitur në institucionin shëndetësor publik për trajtim dhe shërbime, në përputhje me specialitetin e tij, që t’i drejtohen institucionit shëndetësor jopublik, ku ai ushtron profesionin e tij.

Disa nga masat disiplinore që mund të merren ndaj mjekut fillojnë që nga pezullimet, heqja e përhershme e licencës, gjobat nga 100 mijë lekë deri në 1 milion lekë, të cilat do të gjykohen nga komisionet disiplinore që ngrihen pranë “Urdhrit të Mjekut” dhe komisionet e apelimit.

Heqja e licencës parashikohet e përkohshme, 6 muaj, ose e përhershme, për përsëritje të gabimeve.

Në ndryshimet në “Urdhrin e Mjekëve” përcaktohen kushtet dhe procedura që një mjek në një institucion shëndetësor publik mund të ushtrojë profesionin në një institucion shëndetësor jopublik.

Konkretisht, një anëtar i Urdhrit të Mjekëve që kërkon të ushtrojë profesionin e mjekut në një institucion shëndetësor jopublik, duhet t’i bëjë kërkesë titullarit të institucionit shëndetësor publik, ku ai është i punësuar.

Anëtarët e “Urdhrit të Mjekëve”, të cilët janë punësuar në një institucion shëndetësor publik, që ka përfituar statusin e autonomisë spitalore financiare, nuk mund të bëjnë kërkesë sipas pikës 1 të këtij neni për të ushtruar profesionin e mjekut edhe në një institucion shëndetësor jopublik.

Anëtarët e Urdhrit të Mjekëve, që mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor publik dhe në Universitetin Mjekësor Publik, nuk mund të mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor jopublik.

Titullari i institucionit vlerëson: ngarkesën e orëve, që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik; mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në institucionin shëndetësor publik; mundësinë e konfliktit të interesit.

Në çdo rast, angazhimi i mjekut në institucionin shëndetësor jopublik nuk duhet të pengojë kryerjen e detyrës së tij/saj në institucionin shëndetësor publik, ose kjo veprimtari nuk duhet të kërkojë një angazhim mendor a fizik të tij/saj, që e bën të vështirë kryerjen e kësaj detyre, ose ushtrimi i kësaj detyre në institucionin shëndetësor jopublik mund të cenojë, në çfarëdo mënyre, imazhin e mjekut.

Ministria përgjegjëse për shëndetësinë bën publikimin e të dhënave të këtij mjeku në një regjistër publik elektronik.

Masat disiplinore

Komisioni disiplinor heton e gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara dhe të seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit të Mjekëve, ndaj të cilit mund të merret masa disiplinore.

Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë gabime teknike, ai jep këto masa: Vërejtje; Pezullim për të realizuar shërbime të caktuara mjekësore, për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet; Pezullim të licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut në tërësinë e saj, për një periudhë nga 6 muaj deri në 5 vjet; Gjobë me vlerë nga 100 000 lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë; Heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut.

Procedimi disiplinor fillon brenda 5 vjetëve nga momenti i kryerjes së shkeljes. Në rastin kur anëtari i Urdhrit të Mjekëve ushtron detyrën në të njëjtin institucion shëndetësor, ku ka kryer shkeljen disiplinore, procedimi disiplinor fillon menjëherë nga momenti i konstatimit të saj.