Botë e Çuditshme Design

Publikohen fotografitë e konkursit të këtij viti për botën e egër natyrore!

Së fundmi, janë publikuar imazhet mahnitëse nga konkursi i fotografisë për botën e egër natyrore. Edicioni i 57-të i këtij viti, i cili organizohet nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër, kishte një numër rekord pjesëmarrësish. Juria përzgjodhi midis 50 000 paraqitjeve nga fotografët e 95 vendeve të ndryshme, duke vlerësuar “kreativitetin, origjinalitetin dhe përsosmërinë teknike”.

Doug Gurr, drejtor i Muzeut të Historisë Natyrore tha në një njoftim për shtyp se:

Këto imazhe të jashtëzakonshme tregojnë diversitetin e pasur të jetës në Tokë, por tregojnë edhe historinë e një planeti, sfidat urgjente me të cilat përballemi dhe veprimet që duhet të ndërmarrim.

Rikujtojmë, se fituesit e konkursit do të shpallen më 12 tetor dhe do të shfaqen në një ekspozitë të hapur nga 15 tetori deri më 5 qershor 2022. Ndërkaq, ju prezantojmë me disa nga fotot konkurruese…

Ndërkaq, ju sjellim në vëmendje se një pyll spektakolar i projektuar në thellësi të plazhit Pernera në Ayia Napa, Qipro është prezantuar së fundmi. Ky projekt i përbërë nga 93 skulptura ka kushtuar 1 milion euro.

Autori, Jason deCaires Taylor, i cili ka bërë edhe punime të tjera nënujore në Meksikë dhe Grenada, thotë se objektivi i tij është të rikthejë në qendër të vëmendjes rindërtimin e hapësirave natyrore. Disa nga skulpturat e tij peshojnë deri në 13 tonë dhe pas vetëm pak javësh që janë vendosur aty, kanë filluar të rrethohen nga algat e para.