Marrë shkas nga një temë e diskutuar gjatë kësaj jave në “Live From Tirana” në Top Albania Radio, mësuam një detaj që përfshin të gjithë shqiptarët. Shumica prej tyre nuk e duan humorin banal, po përse?
Të ftuar gjatë programit ishin aktorja e humorit Marjana Kondi dhe regjisori i talentuar Gëzim Kame të cilët edhe pse të së njejtës fushë, nuk ndajnë të njejtin mendim. Marjana u shpreh se është pro humorit me nota banaliteti madje nuk ka asgjë të keqe edhe kur fëmijët i dëgjojnë prindërit të thonë; ‘më çave kokën’:
Banalja është shumë e bukur nëse e vendos në një situatë që ja vlen. Nuk ka gjë për të thënë se e shikon fëmija sepse fëmija e dëgjon nga prindi një fjalë si: “Mos më çaj kokën”. Të gjitha emisionet e humorit sot bëjnë po të njëjtën humor.
Nga ana tjetër Gëzimi shprehu mendimin e kundër se humori duhet të jetë i hollë që gjithkush të ketë dëshirë ta dëgjojë dhe të qeshi fort:
Ky popull ka nevojë të qeshë me zemër. Ka disa pastaj që janë jashtë logjikës së profesionit, e sjellin banalitetin e jetës së rendomtë dhe shkojnë pas shijës së disave. E qeshura e njerëzve duhet të jetë inteligjente, e hollë.
Thënë kjo, ne në TAR publikuam një sondazh për të mësuar se cfarë opinioni ndajnë shqiptarët dhe mendimin e cilit prej këtyre dy personazheve mbështesin më shumë. 72% e tyre janë dakord me Gëzim Kamen dhe i qëndrojnë mendimit se humori duhet të të bëjë të qeshësh me zemër pa qenë nevoja për nota banaliteti të asnjë lloji.
Kjo sepse, ashtu sic theksoi edhe mjeshtri Kame, shqiptarët pëlqejnë humorin e improvizuar, atë që lind natyrshëm dhe është inteligjent.