Aktualitet Politikë

Pse nuk e nis mosbindjen civile Sali Berisha duke dalë nga shtëpia? Ja si përgjigjet ish-kryeministri Berisha…

Sali Berisha u shfaq nga shtëpia në seli përmes teknologjisë për të bërë bilancin e protestës së opozitës ku ishin premtuar surpriza të mëdha, por mosbindja e tyre civile rezultoi të ishte skenar i njohur jo vetëm për demokratët, por edhe për kundërshtarin politik.

Me tone kërcënuese lideri i opozitës paralajmëroi se protesta e 7 tetorit ishte vetëm 1 nga 77 format mosbindjes civile që opozita do verë në zbatim për realizimin e kërkesës për krijimin e qeverisë teknike pa Edi Ramën kryeminsitër.

“Mosbindja ka shumë forma. Kemi ngujime përpara. Kemi greva. Kemi bllokime permanente rrugësh. Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do asfiksojnë dhe paralizojnë narkoshtetin. Që do ta shkërmoqin narkodiktaturën.”, tha ai.

Aksioni i të hënës mbrëma për Sali Berishën ishte i sukseshëm, por jo i nevojshëm për t’u përsëritur në rrugët e Tiranës duke njoftuar spostimin e protestës në qytete të tjera.

“ Mendohu mirë Edi Rama. Se së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën. Pastaj Durrësin. Vlorën. Kukësin. Tepelenën. Lezhën. E kështu me radhë, mbarë Shqipërinë”, u shpreh ai.

Sali Berisha nuk ka plan të zbresë shkallët e apartamentit për t’iu bashkuar demokratëve për të dhënë i pari shembullin e asaj qe ai e konsideron mosbindje civile pasi e quan sakicë të mjaftueshme qëndrimin brenda katër mureve të banesës pa dëshirën e tij.

“Unë mendoj se vetë burgosja ime në shtëpi është dëshmia më flagrante e dhunimit të Kushtetutës, ligjeve dhe opozitës së këtij vendi. Por mendoj se po qëndroj si çdo protestues i pamposhtur”, tha Berisha.

Nuk ka një plan b nëse nuk realizohet kërkesa për krijimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve te pranverës, por s’ka as plan për të bojkotuar garën elektorale.

“Kurrë! Ta harrojë kush se bojkotojmë! Se kjo do të thotë t’i bësh dhuratë narkodiktatorit, po atë dhuratë nuk ia bëjmë kurrë ne. Përkundrazi do votojnë të lirë shqiptarët. Ky është i vetmi opsion i yni”, tha Berisha.

Video konferenca me gazetarët u ndërpre krejt papritur, por Berisha pas fikses së sinjalit të internetit mendon se qëndron dora e kundërshtarit te tij politik.

 

Top Channel