Pse njerëzit nuk ndihmojnë në situata emergjente? Gjithçka rreth “efektit Bystander”!

Një situatë emergjente mund të jetë e frikshme dhe stresuese, jo vetëm për viktimën, por edhe për ata që e shikojnë. Por, shpesh ndodh që kur shumë njerëz janë dëshmitarë të një situate të rrezikshme, askush nuk ndërhyn për të ndihmuar. Ky fenomen psikologjik njihet si “efekti Bystander” dhe shpjegon sjelljen e grupit në momente kritike.  “Efekti Bystander” ndodh kur individët, në vend që të ndërhyjnë për të ndihmuar, bëhen pasivë për shkak të pranisë së shumë njerëzve të tjerë.

Sa më shumë dëshmitarë që janë të pranishëm, aq më pak individi ndjen përgjegjësi për të vepruar. Ndërhyrja bëhet më e rrallë, sepse secili mendon se dikush tjetër do ta marrë përsipër veprimin. Sipas studimeve psikologjike, ka disa arsye pse ndodh ky fenomen. Kur janë të pranishëm shumë njerëz, individët ndiejnë se përgjegjësia shpërndahet në grup. Ata supozojnë se dikush tjetër, ndoshta më i aftë ose më i shpejtë, do të ndërhyjë. Shumë njerëz kanë frikë se mos ndërhyjnë gabim ose keqkuptojnë situatën. Kjo është veçanërisht e vërtetë në situata ku nuk është qartë nëse ndihma është e nevojshme.

Askush nuk dëshiron të bëhet “ai personi” që vepron në mënyrë të panevojshme dhe përballet me gjykimin e të tjerëve. Njerëzit janë krijesa sociale dhe shpesh ndjekin shembullin e shumicës. Nëse askush nuk po ndërhyn, kjo u dërgon një mesazh të pashkruar të tjerëve se ndërhyrja nuk është e nevojshme. Një nga rastet më të njohura të efektit “Bystander” është vrasja e Kitty Genovese në vitin 1964, në New York. Ajo u vra në prani të dhjetëra dëshmitarëve të cilët e panë sulmin nga dritaret e tyre, por askush nuk ndërhyri ose nuk thirri policinë në kohë. Ky rast shërbeu si pikënisje për një sërë studimesh psikologjike që më pas vërtetuan ekzistencën e këtij fenomeni.

Një shembull tjetër i ngjashëm është incidenti me Deletha Word në vitin 1995, e cila u vra në një urë të Detroitit, ndërsa shumë njerëz ishin të pranishëm, por nuk ndërhynë për ta shpëtuar. Ky rast dhe të tjerët të ngjashëm nxitën një debat të gjerë rreth moralit të shoqërisë moderne dhe pasivitetit të njerëzve. “Efekti Bystander” është një kujtesë e rëndësishme se ndonjëherë, heshtja dhe mosveprimi janë zgjedhje të gabuara. Ky fenomen na mëson që secili prej nesh ka një rol në krijimin e një shoqërie më të ndjeshme dhe të përgjegjshme.