Aktualitet

“Pse më ke zënë krevatin?”/Sherr me 1 viktimë në një azil të moshuarish në Tiranë!

Ngjarje e rëndë në një azil privat për të moshuar në Tiranë. Rreth orës 04:00 të mëngjesit, njëri prej tyre goditi për vdekje me bastun, shkop hekuri, shokun e dhomës pas një sherri të çastit për krevatin. Autori i dyshuar i moshës 78-vjeç qëlloi një 82-vjeçar në disa pjesë të trupit e në kokë, duke i shkaktuar dëmtime, të cilave fatkeqësisht nuk mundi t’iu mbijetojë.

Punonjësit e azilit njoftuan Urgjencën, si dhe policinë që arrestoi shtetasin Zyhdi Shehu. Viktimë mbeti Virxhil Vesho.  Paraprakisht, mësohet se që të dy të moshuarit ishin të prekur nga skleroza. Ndërkaq, blutë e Tiranës po hetojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së dhimbshme.  Materialet i kaluan Prokurorisë.

Njoftimi i policisë: 

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasin Z.SH., 78 vjeç, banues në një azil privat për të moshuarit, për veprën penale “Vrasja me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Ky shtetas dyshohet se sot më datë 08.08.2024, rreth orëve të para të mëngjesit, për motive të dobëta, ka goditur disa herë me anë të një bastuni (shkop hekuri), shokun e tij të dhomës, shtetasin V.V., 82 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë.