Bota Tech

Pse Intel merr vendimin drastik, largon nga puna 15 mijë punonjës direkt?!

Në një email dërguar punonjësve, Intel njoftoi pushimin nga puna të më shumë se 15% të personelit, ose 15 mijë punonjës. Numri i madh i punonjësve është pjesë e një plani të gjerë të reduktimit të shpenzimeve prej 10 miliardë dollarësh në 2025, pas një raporti mbi fitimet në tremujorin e dytë dhe perspektivave negative.

“Të ardhurat tona nuk janë rritur ashtu siç pritej dhe ne ende nuk kemi përfituar plotësisht nga tendencat e fuqishme, si Inteligjenca Artificiale” – deklaroi CEO, Pat Gelsinger, në një njoftim dërguar punonjësve.

Kostot tona janë shumë të larta dhe marzhet tona shumë të ulëta. Kemi nevojë për veprime më të guximshme për t’i përballuar të dy problemet, mbi të gjitha pas rezultateve financiare dhe perspektivave për gjysmën e dytë të vitit 2024, që janë më të vështira se sa pritej më parë.

Siç shkruan Gelsinger, Intel ka luftuar për të përfituar nga bumi i Inteligjencës Artificiale, ashtu siç kanë bërë kompani të tjera hardware, si Nvidia.  Intel ka udhëhequr revolucionin në industrinë teknologjike rreth chip-ave CPU për rreth 25 vjet, por ka qenë e ngadaltë në përqafimin e valëve të reja informatike, si smartphone dhe Inteligjenca Artificiale.

Sipas Gelsinger, të ardhurat vjetore të Intel ranë me 24 miliardë dollarë në periudhën 2020 – 2023, pavarësisht se fuqia punëtore u rrit me 10% në të njëjtën kohë. Ky është një kontrast i fortë me prodhues të tjerë chip-ash gjatë bumit të Inteligjencës Artificiale, duke qenë se të ardhurat dhe vlerësimet janë rritur në nivele astronomike. Intel raportoi një rënie të të ardhurave prej 1% në tremujorin e dytë krahasuar më të njëjtën periudhë një vit më parë.