Botë e Çuditshme

Pse ëndërrojmë? Ja shpjegimi shkencor

Ju mund ta shihni veten duke u rrëzuar në një boshllëk të pafundmë. Apo sikur po ndiqeni nga një krokodil gjigand. Gjithashtu mund të takoni ish-in tuaj në ëndërr apo edhe situata të tjera tepër të sikletshme, që vetëm shkenca e ka një shpjegim.

Ëndërrimi është një nga gjërat më të çuditshme që bëjmë në këtë jetë. Këto halucinacione të natës priren të duken si më reale gjatë një fazës së gjumit REM. Edhe pse akoma nuk është gjetur një shpjegim i mirëfilltë, në këtë artikull do të njiheni me disa nga teoritë më të spikatura se përse ëndërrojmë.

Ëndrrat si nënprodukt i aktivitetit nervor

E propozuar nga psikiatrit e Universitetit të Harvardit J.Alan Hobson dhe Robert Mekerli në vitin 1977, kjo teori thotë se ëndrrat janë përpjekjet e trurit tuaj për të kuptuar modelet e rastësishme të aktivizimit të neuroneve ndërsa ju flini. Pra ato janë thjesht një nënprodukt i proceseve të trurit gjatë gjumit.

Ruajtja e kujtimeve emocionale

Kjo teori pretendon se ëndrrat na ndihmojnë në ruajtjen e kujtimeve të përvojave emocionale dhe ndihmojnë në rregullimin e gjendjes shpirtërore ditën e nesërme. Dekadat e kërkimeve, kanë bërë që shkencëtarët ta lidhin gjumin REM me konsolidimin e kujtesës. Por mekanizmat specifikë të trurit prapa kësaj kanë qenë më të vështira për t’u përcaktuar.

Simulimi i situatave dhe kërcënimeve sociale

Kjo teori thotë se vetëdija jonë gjatë ëndërrimit është në thelb një mekanizëm i lashtë biologjik mbrojtës, pra një rezultat i natyrshëm i evolucionit tonë. Në thelb, ëndërrimi i jep mundësi trurit të provojë strategjitë e reja të mbijetesës, pa pasur nevojë të mbrohet kundër një kërcënimi aktual. Pra ëndrrat ndihmojnë në simulimin e realitetit tonë shoqëror, në mënyrë që të mund të sillemi më mirë në ndërveprimet dhe marrëdhëniet tona në jetën reale.

Ëndrrat si frymëzim për tu bërë krijues dhe për të zgjidhur probleme

Studiuesit thonë se ëndrrat që shohim, mund të çojnë në nxitjen e kreativitetit kur ato na ndihmojnë të zgjidhim një problem që kërkon një imagjinatë të gjallë. Përtej kësaj, ëndrrat mund të na ndihmojnë të përballemi me probleme që mund të sfidojnë mençurinë konvencionale.